arkiva

Bisedë mes Tanja Sljivar dhe Ervina Halili

 Neser ne Qendren Multimedia do te kete mbremje letrare me Tanja Sljivar, dramaturgja nga Bosnja dhe Hercegovina e cila aktualisht po qendron ne Prishtine. Ngjarja do te behet ne zyret e Qendres Multimedia te shkolla fillore "Xhemajl Mustafa" nga ora 17h.
Moderatore do te jete Ervina Halili, autore nga Prishtina.
Tema per te cilen do te diskutohet eshte "Seksualiteti ne dhe jashte letersise".

Seksualiteti ka qenë pjesë e letërsisë qysh prej origjinës së vetë letërsisë. Varësisht prej kulturave të ndryshme shprehësia e seksualitetit në letërsi ka hasur në modalitete të ndryshme prej erotizmit e deri te manualet praktike. Përgjatë shtresëzimeve moralizuese të sistemeve të ndryshme sociale dhe kulturore,seksualiteti brenda letërsisë përjeton një hermetizëm dhe shprehësi simbolike deri në të ashtuquajtërin “Revolucion Seksual - I ”tek rreth 1920-ve, (pas Luftës së Parë Botërore) që jo rastësisht niset nga shkrimtarët si F. Scott Fitzgerald, Edna Saint Vincent Millay dhe Ernest Hemingway.Megjithatë e tërë kontrakultura si rrymë e viteve 60-ta ndikoi në rikthimin e shprehësisë së lire seksuale jashtë dhe brenda letërsisë duke u ndihmuar edhe nga teori të ndryshme psikanalitike dhe biologjike mbi gjininë dhe seksualitetin (Wilhelm Reich, Alfred Kinsey), teoritë feministe, postsrukturalite etj. Kësaj here seksualiteti brenda letërsisë merr konotacion filozofik dhe ideologjik - dekonstruktiv duke qenë në disproporcion me moralin konvencional.

Në kohët e sotme, kur letërsia është në kufijte e fiksionit dhe realitetit, Jo-fiksioni me përmbajtje të lire seksuale,(heteroseksuale, trans-gjinore, homoseksuale, seksualiteti orgjik etj ) është një letërsi e shpërblyer e vlerësuar, e diskutuar,por si trajtohen personat (shkrimtarët) jashtë medieve dhe jashtë asaj letërsie, a trajtohen si letërsia e tyre për jetën që bëjnë?

“All adventures women do” – Tanja Sljivar projekton seksualitetin dramatik të shtatë vajzave minorene të cilat mbesin me barrë gjatë një ekskurzioni shkollor në Bosnje. Ngjarja mbahet fshehur por kur zbulohet pas disa vitesh bëhet objekt diskutimi dhe moralizimi publik. Bazuar në një “skandal”të vërtetë mediatik të vitit 2014 në
Bosnje.

Tanja Sljivar është lindur në Banjallukë - 1988 . Ajo mban BA dhe MA në Dramaturgji nga Fakulteti i arteve Dramatike në Beograd. Shkroi drama të gjata si “ Sa kushton Pashteta”, “Gervishtje, ose si e mbyti gjyshja ime veten”, “ Ne jemi ata për të cilët prindërit tanë na paralajmëruan” “Por qyteti më ka mbrojtur mua”, “të gjitha aventurat që gratë bëjnë” dhe “Stilborn” dramë e shkurtër e publikuar dhe inskenuar në tetrin professional në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Sërbi, Shqipëri, Spanjë, Poloni, Austri, Gjermani.Ajo shkruan gjithashtu tregime të shkurtëra dhe radio-drama, skenare për filma të shkurtër dhe teori teatri. Ka marrë disa çmime për dramat e saj, së fundmi atë Sterija për dramën më të mirë bashkëkohore në Serbi, çmimi Mess market, si co- produksion për ‘’Të gjitha aventurat që gratë bëjnë” në Bosnje si edhe nominimin për Retzhoferdramapreis në Austri. Dramat e saj janë përkthyer në rreth dhjetë gjuhë të ndryshme. Ka qenë musafire në disa shtëpi rezidenciale shkrimtarësh duke përfshirë IHAG- Graz- Austri, Museums Quartier 21 – Vienna- Austria dhe Prishtina nuk ka lum- Prishtinë. Aktualisht ajo ndjek lendë Masteri në Shkenca të Aplikative Teatri në Giessen – Gjermani.
Tanja po qendron ne Prishtine si artiste e rezidences letrare "Prishtina nuk ka lum".

Ky diskutim organizohet nga Qendra Multimedia dhe mbeshtetet nga TRADUKI.

Ervina Halili