arkiva

“PRST” – u mirëprit nga publiku prishtinas

Të premten dhe të shtunën (21 dhe 22 Qershor) Qendra Multimedia në Prishtinë ishte nikoqire e shfaqjes “PRST” (GISHTI) të prodhuar nga Teatri Bitef i Beogradit dhe Fondi Hartefakt. Përgjatë dy netëve interesimi i publikut për ta parë shfaqjen ishte tejet i lartë. “PRST” /GISHTI është shfaqje e shkruar nga Doruntina Basha e që ka dal fituese nga konkursi për dramën më të mirë bashkëkohore të organizuar nga Qendra Multimedia dhe Hartefakt Fond.

Ishte shpëblyer si teksti më i mirë, e që në fokus ka temën e personave të zhdukur në Kosovë por të shikuar nga këndi i të gjallëve që vuajnë mungesën e personave të tyre të dashur, tash e 14 vite.

“Kam dashur të tregoj solidaritetin me ato gra, sepse ato janë partnere në vuajtje dhe nuk munden pa njëra tjetrën”, ka thënë për gazetën “Koha Ditore” autorja e “GISHTI”, Doruntina Basha.

Regjinë e shfaqjes e ka bërë Ana Tomovic dhe në të luajnë aktoret Jasna Duricic në rolin e Zojës dhe Milica Stefanovic në atë të Shkurtës. Duke qenë se gjatë tërë shfaqjes aktoret nuk lëvizin fare nga skena, ishte pikërisht pamja ekspresive e tyre ajo që u vlerësua në vecanti nga publiku. “Gishti është një shfaqje e vecantë, me vetë faktin se ka një mënyrë interesante të realizimit duke qenë se dy aktoret nuk lëvizin prej fillimit deri në mbarim të shfaqjes, por duke bërë një interpretim të fuqishëm”, ka thënë dramaturgu Arian Krasniqi për të përditshmen Zëri.

Shfaqja është luajtur në gjuhën serbe, por me titra në gjuhen shqipe.

Ardhja e shfaqjes “PRST” në Qendrën Multimedia u mundësua nga KFOS.