arkiva

Bozhoviq-i e Schwaighofer-i vijnë në shtator

05 Gusht 2013 

Shtatori do të sjellë “mysafirin” e dytë dhe të tretë në rezidencën për artistë të Qendrës Multimedia në Kosovë „Prishtina nuk ka lum“. Që në ditën e parë të shtatorit 23 vjeqari Gjorgje Bozhoviq nga Serbia, i cili momentalisht vijon studimet për gjuhësi të përgjithshme dhe albanologji në Fakultetin Filozofik në Beograd do ti bashkohet kësaj rezidence. Bozhoviq është kritik letrar dhe eseist si dhe përkthen nga gjuha shqipe në atë serbokroatishte.

Përveq në fushën e letërsisë Bozhoviq tashmë ka diplomuar në fushën e Studimeve Rome në Fakultetin Filozofik të Novi Sad-it. Ai ka botuar satirë dhe ese në revistat si „Sic!“ (Sarajevë, 2010), „Ulaznica“ (Zrenjanin, 2012) dhe „jugoLink:vëzhgimi i hulumtimeve post-jugosllave“ (Berlin, 2013).

Gjatë qëndrimit në Prishtinë Gjorgje ka planifikuar të krijojë kontakte me krijuesit kosovarë, të njihet më afër me skenën letrare të Kosovës si dhe të zgjerojë bashkëpunimet në fushën e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën serbe.

Por Bozhoviq nuk do të jetë i vetmi. Gjatë muajit shtator “Prishtina nuk ka lum” do të mirëpres edhe një tjetër artist. Është ky zvicerani Pascal Schwaighofer i lindur në Locarno në vitin 1976.

Duke qenë se jeton dhe punon në trekëndëshin Zürich, Rotterdam dhe Mendrisio edhe veprimtaria e tij artistike është e shtrirë mes këtyre tre qyteteve.

Schwaighofer ka të mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Milano si dhe Pedagogjinë në Locarno. Ai është themelues i dy hapësirave ekspozuese, në Locarno dhe Roterdam. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita grupore dhe të tija personale si dhe është autorë i shumë publikimeve. Ai ka marrë edhe disa ҫmime si “Manor Art Prize” në Ticino të Zvicrës , Swiss Art Award dhe ҫmimin Collection Cahier d’Artistes, Pro Helvetia, të gjitha në vitin 2011.

Në Prishtinë Schwaighofer ka planifikuar të punoj në një seri intervistash që do të zhvilloj me kamerën e tij me njerëz të shtresave të ndryshme sociale, aktivistë të ndryshëm, oficerë gjyqësor e të tjerë për ti pyetur rreth një opinioni apo edhe për ti bindur ata të marrin pjesë në një aksion të jashtëzakonshëm në ndonjë prej hapësirave publike të kryeqytetit kosovar.

Programi i Artistët në Residencë “Prishtina nuk k alum” implementohet nga Qendra Multimedia në Prishtinë, ndërkaq partner të projektit janë Traduki, S.Fischer Stiftung dhe Goethe Instituti.