arkiva

"The Smurfs 2" 3D, u shfaq në kinemanë ABC në Prishtine ne kuadër të festivalit "Play for all"

Nga katër vende të Kosovës, 200 fëmijë të tjerë do të vizitojnë të martën (17.09.) Kinemanë ABC për të parë filmin "The Smurfs 2" duke filluar nga ora 10:00. Në Prishtinë për të parë film të animuar me syze 3D do të vijnë fëmijët e shkollave fillore nga Plemetina, Obiliqi, Fushë Kosova dhe Sllatina e Madhe. Kjo një ditë pasi në këtë kinema zurën vend mbi 200 fëmijë të tjerë. Të hënën (16.09) ata që duartrokitën historinë e gogëlushëve të njohur (Smurfs) ishin nxënësit nga Lipjani dhe Podujeva.
Filmi "The Smurfs 2" në versionin 3D gjatë të hënës dhe të martës po shfaqet në kuadër të aktivitetit "Kinemaja Udhëtuese" që organizohet tash e disa vite nga Qendra Multimedia dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve si pjesë e festivalit "Play for all".
Këtë vit ky aktivitet vecanërisht është përkrahur nga kinemaja e vetme në kryeqytet, kinemaja ABC, duke bërë të mundur që duke filluar nga ora 10:00 për dy ditë rradhazi ekrani i madh i kinemasë të rezervohet enkas për rreth 400 fëmijë që vijnë nga zona të ndryshme të Kosovës.