arkiva

polip – Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Prishtinë – 2014

EDICIONI I KATËRT: PËRGJIMI I LETËRSISË
16-18 maj 2014
Hapja: E premte, 16 maj, në 20h

“Tungjatjeta! Ne quhemi POLIP. Më shumë se tre vjet më parë bënim një jetë të rëndomtë, kishim mure që e pamundësonin çdo komunikim midis kulturash fqinje, jetonim në një shtëpi prej ëndrrash, bënim një jetë pothuaj të rehatshme. Po ashtu, kishim mundësi të pafundme që të mos lëviznim fare nga vendi dhe të mendojmë që çdo kulturë nacionale është qendër e botës. Pastaj e morëm në pronësi një mjet tepër të fuqishëm për përgjimin e letërsisë. Mund ta përcillnim komunikimin midis shkrimtarësh nga skena të ndryshme, në çdo kohë të ditës dhe të natës. Është kjo një fuqi që i ndryshon rrjedhat e historisë së letërsisë së Ballkanit dhe Europës. Ky mjet për përgjim quhet Festivali POLIP 2014. Qendrën e kemi në Prishtinë, por nuk jemi larg nga Beogradi, Sarajeva Shkupi, Zagrebi, Podgorica, Novi Sadi dhe Lubjana. E përcjellim si krijohet letërsia në kohën e protestave të mëdha në Kiev, në vlugun e demostratave në Sintagmën athinase, në shoqëritë në tranzicion, të cilat mospërshtatjen e moçme e kanë zëvendësuar me pasigurinë e re. Agjentët tanë janë gjithandej, mund t’i njihni nga përkushtimi me të cilin e kryejnë punën e tyre të përgjimit. Rëndom punojnë natën, ndërsa ditën bëjnë ca punë të tjera. Shumë nga ata bëjnë jetë të dyfishtë. Puna e tyre kryesore është, në të vërtetë, përkthimi i literaturës, dhe ashtu na ndihmojnë pamasë në programin gjithëpërfshirës të përgjimit të saj. Shumë nga ata e bëjnë një gjë të tillë nga bindja se ashtu mund ta ndryshojnë botën. Pikërisht kjo edhe po ndodh para syve tanë nga dita në ditë. Skenat deri dje të panjohura të Kosovës dhe Serbisë, sot mund ta përgjojnë njëra-tjetrën. Një situatë e njëjtë mbretëron edhe në territorin e ish-Jugosllavisë. Në Europë, po ashtu. Nuk është e lehtë ta sigurosh një literaturë që e mendon një realitet kaq të ndërlikuar, në të cilin dëshira për vendosjen e komunikimit të njëmendtë midis kulturash është në nivel skandali. Ne quhemi POLIP. Ne e dimë për cilat çështje Ju shkruani. Gjithashtu, për cilat tema do të shkruani në të ardhmen. Gjatë tri netëve në maj të vitit 2014, në Prishtinë, do t’ua prezentojmë informatat që kemi arritur t’i sigurojmë...”
Festivali do t’i tubojë autorët dhe autoret nga regjioni, por edhe nga Shqipëria, Ukraina, Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania, etj.
Do të organizohen lexime publike, debate lidhur me tema aktuale politike e letrare. Në kuadër të Festivalit do të botohet edhe edicioni special i revistës Beton International, natyrisht në gjuhën angleze, që do t’i përfshijë tekstet e pjesëmarrësve në Festival.
Festivali do të zgjasë tri ditë.