arkiva

Konkurs për pjesëmarrjen e autorëve Kosovarë në programin e rezidencës në Beograd


Ftohen shkrimtarët nga Republika e Kosovës që në periudhën prej 15. Shkurtit deri me 20. Mars 2014 të lajmërohen për pjesëmarrje në programin e rezidencës që do të mbahet në kuadër të projektit NEIGHBORS i cili është krijuar si rezultat i bashkëpunimit mes Shoqatës KROKODIL nga Beogradi dhe Qendrës Multimedia nga Prishtina.
Është e nevojshme të dorëzohen:
- biografia (max. 1 faqe)
- adresa e plotë (telefoni kontaktues dhe e-mail adresa)
- të dhënat rreth veprave të botuara (max. 2 faqe)
- një përshkrim i shkurtër i planit të punës gjatë qëndrimit në Beograd (max. 1 faqe_
- letër rekomandimi nga shtëpia botuese apo shoqata e shkrimtarëve

Aplikacioni të dorëzohet përmes postës elektronike në adresën: info@qendra.org
Bursat do të dedikohen për tre qëndrime njëmujore për shkrimtarët në rezidencën e shkrimtarëve të Shoqatës Krokodil në Beograd. Qëndrimi në rezidencë është paraparë për këta muaj të ardhshëm: qershor, korrik dhe gusht 2014.
Përveç qëndrimit në apartamentin e mobiluar në Beograd, projekti NEIGHBORS, shkrimtarit të përzgjedhur i siguron edhe mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe një bursë mujore në vlerë prej 800 eurove, neto.
Aplikacionin mund ta dërgojnë prozatorët, poetët, dramaturgët, dhe eseistët-kolumnistët.
Shkrimtarët e përzgjedhur do të marrin pjesë në aktivitetet e projektit NEIGHBORS qëllimi i të cilit është të kontribuoj në krijimin e miqësive të reja dhe bashkëpunimeve në mes aktorëve relevant të skenave kulturore, apo më konkretisht të skenave letrare në Serbi dhe Kosovë. Me pjesëmarrje aktive në aktivitetet e lidhura me projektin në fjalë (festivale, tandemët letrarë, tribuna, paraqitja mediave, diskutime publike etj.) autorët e përzgjedhur do të kenë mundësi që kohën e kaluar në Beograd ta shfrytëzojnë edhe për njohje me jetën kulturore të qytetit, por përveç kësaj do të kenë prezantime si në Beograd ashtu edhe në qytete tjera të Serbisë.
Pjesëmarrësit në konkurs do të lajmërohen rreth rezultateve në fillim të prillit 2014.

Këtë projekt e financon BE.
_____________________________________________________
Qëndrimet e paraqitura në këtë publikim nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.