arkiva

"PEER GYNT NGA KOSOVA" PER TURNE NE SUEDI

 

 
 
Pas premierës së suksesshme në Wiesbaden të Gjermanisë, si dhe turneut nëpër Ballkan, shfaqja “Peer Gynti nga Kosova” e dramaturgut Jeton Neziraj, do të udhëtojë për një turne në Suedi, kur do të shfaqet plot 18 herë.

Me regji të Robert Jelinek, shfaqja “Peer Gynti nga Kosova” është bashkëprodhim i Hessisches Staatstheater Wiesbaden nga Gjermania, Teater De Vill nga Stokholmi në Suedi dhe Qendrës Multimedia në Kosovë.

Shfaqja bën fjalë për një njeri që ka kaluar rreth 20 vite të jetës në mënyrë ligjore dhe joligjore nëpër Suedi dhe Gjermani, përplot me aventura dhe drama që shpërfaqin realitetin e migrimit evropian. Shfaqja reflekton fatet e mijëra imigrantëve të ri në Evropë, të cilët shpeshherë humbin kontrollin dhe i kthehen krimit në luftën për mbijetesë.

Në shfaqje luajnë aktorët Ema Andrea, Besnik Krapi, Jonas Sjören dhe Charles Toulouse. Premiera botërore e shfaqjes është dhënë më 11 maj në Wiesbaden të Gjermanisë, pastaj ka mbajtur një turne ballkanik në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shkup, Tiranë e Beograd.