arkiva

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës ” udhëton për në Slloveni

 

Prishtinë, 17 shtator 2014

 

Shfaqja nga Kosova, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, prodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina, me regji të Blerta Nezirajt, është ftuar në edicionin e 21 të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Ex Ponto” që mbahet nga data 14 – 21 shtator në Lubljanë të Sllovenisë.

Shfaqja kosovare atje do të jepet me datë 20, në Šentjakobsko gledališče. Në shfaqjen, me tekst të Jeton Nezirajt, luajn aktorët e mirënjohur: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu.
“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, është një satirë politike për shtetin e sapolindur të Kosovës, të dërmuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe mbrojtja e përhershme e ndërkombëtarëve.
Në faqen e festivalit, performanca është përshkruar si e mbushur me ironi dhe humor, që sillet rreth një interpretimi orkestral që duhej të shënonte pavarësinë e Kosovës. Në këtë interpretim, politizimi i artit vijnë me sarkazmë puro në një ngjarje mistike, ku përfshihet kryeministri i vendit, letrat dhe urdhrat nga lart.
Ndërkaq, për autorin e dramës, Jeton Neziraj, festivali e konsideron njërin ndër shkrimtarët më të mirë të rajonit. Ai tashmë e ka bërë për vete publikun në Ex Ponto 2012, me tekstin e “Patriotic Hypermarket”, performancë që mori çmimin e dytë të publikut.
Muzikantë në shfaqje janë Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik: Ilir Gjocaj, koreografia: Arthur Kuggeleyn, kompozitor: Gabriele Marangoni, skenografia dhe kostumet: Susanne Maier-Staufen, realizimi i skenografisë: Kërste S. Xhidrov, asistente e kostumografisë: Leonora Mehmeti.

Kjo shfaqje, deri më tani, është dhënë me sukses në Kosovë, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni. Në Festivalin Ndërkombëtar Teatrit “JoakimInterFest”, që është mbajtur nga 7 – deri me 14 tetor në Kragujevc të Serbisë, autori Jeton Neziraj është shpërblyer me “Cmimin Special”, me motivimin “për tekst jashtëzakonisht të guximshëm dhe të pakompromis”.