arkiva

Komedia "Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës" do të shfaqet në Bern të Zvicrrës

Komedia e autorit kosovar Jeton Neziraj “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, mbas suksesit të saj të fundit në Slloveni dhe Itali, do të shfaqet tri netë radhazi edhe në Bern të Zvicrrës, në teatrin Schlachthaus, me datë 31 Tetor, 1 dhe 2 Nëntor.

Kjo komedi është luajtur me sukses në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe në dhjetra teatro të tjera në Kosovë e në Evropë. Regjinë e saj e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajn aktorët e mirënjohur nga Kosova dhe Maqedonia: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu.

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës. Shfaqja është e mbushur me ironi dhe humor, që sillet rreth një interpretimi orkestral që duhej të shënonte pavarësinë e Kosovës. Në këtë interpretim, ndikimi i politikës në art dhe glorifikimi i qeverisë vinë në një format ironik, me aktorë që vazhdimisht luajnë me idenë e shtetit dhe politikës së Kosovës, që vjen me fjalë të thata, por që pretendon shumë.

Muzikantë në shfaqje janë Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik: Ilir Gjocaj, koreografia: Arthur Kuggeleyn, kompozitor: Gabriele Marangoni, skenografia dhe kostumet: Susanne Maier-Staufen, realizimi i skenografisë: Kërste S. Xhidrov, asistente e kostumografisë: Leonora Mehmeti.

 

Schlachthaus Theater Bern – 31 tetor, 1 dhe 2 nëntor, nga ora 20:00


Për të rezervuar apo blerë biletat, kontaktoni përmes:

 

www.schlachthaus.ch