Pesë stinët e Armikut të Popullit

 “Njeriu më i fuqishëm në botë është ai që bënë ballë i vetëm”
― HENRIK IBSEN, Armiku i popullit

E administruar nga UN-i, Prishtina e pasluftës po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. UN-i, në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi. Por në këtë proces ishin të përfshirë poashtu edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.

Arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.