Mirësevini në Republikën Ndërkombëtare të Asfaltit



Fjalimi i mëposhtëm i Jeton Nezirajt ishte pjesë e ngjarjes përmbyllëse të programit Kultura për Ndryshim e cila u organizua më 22 dhjetor, 2020.

Kam frikë që ky fjalim nuk do të jetë shumë optimist dhe në frymën festive të kësaj ngjarjeje përmbyllëse që kemi organizuar sot.

Programi “Kultura për Ndryshim” është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kurse është implementuar nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe. Ky program ka qenë kontinuitet i një programi të mëhershëm të BE-së, synimi i të cilit ka qenë, poashtu, mbështetja e skenës kulturore në Kosovë, vecanërsisht asaj të pavarur.

Për rezultatet, të arriturat dhe rëndësinë e këtij programi kemi folur përgjatë këtyre tri viteve – madje, kemi përgatitur edhe një dokumentar të shkurtër të cilin do ta shohim pas pak. Prandaj, tani, nuk dua të flas për të arriturat e këtij programi, por do të flas për të ardhmen, për vitin që po vjen, vit që do ta gjejë kulturën në Kosovë pa një program si ky dhe me buxhet për kulturën të reduktuar nga qeveria.

Vitin që po vjen, ky program i BE-së dedikuar kulturës, nuk do të ekzistojë. Nëse inicohet, byrokracisë legjendare të BE-së do t’i duhet edhe së paku 1 vit i plotë – në mos më shumë – që të nisë së zbatuari. Po themi “nëse”, sepse, deri tani, nuk ka kurrfarë indikacioni që BE të ketë menduar për vazhdiminin e kësaj mbështetjeje. Dhe kjo është dëshpëruese.  Është mungesë vizioni.

Heqja dorë nga mbështetja e kulturës, e bënë BE-në t’i ngjasojë këtyre Ministrive tona, edhe kësaj të kulturës, që në mungesë vizioni, shtrojnë asfalt, ndërtojnë stadiume e shtëpi kulture, kudo dhe kurdo që të jetë e mundur.

BE do të vazhdoj të mbështesë fermerët, bizneset e vogla, këtë apo atë grup, atë apo këtë Ministri, drejtësinë dhe policinë, burgjet dhe gjithçka tjetër. Por jo kulturën. Sepse, kultura vazhdon të shihet si luks. E ky vend, nuk është vend i luksit kulturor, ky është vend i emergjencave e nevojave të tjera, politike, sociale, ekonomike e gjithfarë nevojave të tjera – por jo kulturore.

Në anën tjetër, Ministria e Kulturës, vitin që vjen, do të ketë buxhet të reduktuar. Por edhe kur buxheti nuk reduktohet, ai keq-manaxhohet, keq-distribuohet dhe në fund, përfitues nuk janë artistët dhe skena kulturore! Buxheti shkon në fushat e sportit e në shtëpitë e kulturës që ndërtohen gjithandej për t’ua rritur lavdinë kryetarëve të komunave a partizanëve politikë e kështu me radhë. Dhe në fund të vitit, gjysma e atij buxheti edhe ashtu të reduktuar, kthehet sërish në arkën e shtetit. Ky është një cikël të cilin ne tani e dijmë përmendësh.

Viti që po vjen, nuk duket të jetë vit optimist – e kam frikë, nuk do të jenë as vitet në vazhdim. Me gjasë, do të vazhdojmë të shohim më shumë asfalt, më shumë buxhet që ndahet për projekte multi-milionëshe “kombëtare” si projekti i “Operës…“ legjendare të  Ministrisë së Kulturës apo si ajo mbështetja e premtuar multimilionëshe e BE-së për sallën kulturore multifunksionale – dhe ngjajshëm.

Pra, më shumë tulla, më shumë fasada, më shumë asfalt.

Më pak art, më pak kulturë. Pra, më pak liri, më pak ardhmëri.

Mirësevini në Republikën Ndërkombëtare të Asfaltit!

Lajme