Heronjtë publik dhe sekretet

Më 10 korrik, nga ora 18:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Doruntina Kastrati hapi ekspozitën e saj të dytë personale me titull “Heronjtë publik dhe sekretet”. Ekspozita do të mund të vizitohet deri më 24 korrik, 2020.
Ekspozita e dytë personale e artistes Doruntina Kastrati, “Heronjtë Publik dhe Sekretet” inicon vepra të reja të zhvilluara pas një hulumtimi të gjerë mbi aksidentet në vendin e punës si dhe intervistat me punëtorë të cilët kanë pësuar lëndime në punë. Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Kastrati do të prezentojë një instalacion që përfshinë një seri të tri skulpturave figurative të instaluara në skele, secila duke mishëruar historinë e një aksidenti në vendin e punës, bashkë me një video e cila pasqyron një klasë punëtore të dehumanizuar dhe të pa shpresë. Instalacioni sjell në mendje padrejtësitë dhe realitetin e zymtë të punëtorëve, nevojat e të cilëve janë të neglizhuara e zërat e të cilëve heshten nga frika e hakmarrjes. Ekspozita po ashtu aludon në politikat neoliberale të privatizimit dhe rolin e institucioneve shtetërore për mundësimin e këtyre shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve. Në një vend me shkallë të lartë të papunësisë dhe aksidenteve fatale në vendin e punës, puna e Kastratit reflekton mbi një sistem të çrregullt shoqëror që shpesh herë keqpërdor punëtorët. Titulli i ekspozitës “Heronjtë Publik dhe Sekretet”, është varg i marrë nga poezia e Robert Bolaños, “Godzilla in Mexico.”
Ky projekt është mbështetur nga programi “Kultura për ndryshim” i cili menaxhohet e financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.