Profili i bibliotekës së qytetit në Kaçanik

Biblioteka e Kaçanikut u themelua si institucion zyrtarisht më 1945. Edhe pse ekzistojnë gjurmë se jeta bibliotekare ka ekzistuar në këtë qytet edhe para vitit 1945, është e vështirë të gjenden argumente duke qenë se më parë Kaçaniku ishte nën menaxhimin e njësisë administrative të Shkupit.

Para zhvendosjes në objektin aktual, institucioni i bibliotekës së qytetit ka qenë i vendosur në çarshinë e vjetër të Kaçanikut deri më 1985 kur është zhvendosur zyrtarisht në ndërtesën moderniste të ndërtuar atë kohë për Shtëpinë e Kulturës së Qytetit.

Sot biblioteka e qytetit të Kaçanikut funksionon si institucion në kuadër të Shtëpisë së Kulturës dhe menaxhohet nga Drejtoria për Kulturë dhe Arsim e kësaj komune. Ndërkohë që më parë njihej si Biblioteka Popullore e Kaçanikut, sot njihet si Biblioteka Publike e Komunës së Kaçanikut, ndërsa nuk është emërtuar me një emër të veçantë meqenëse kjo gjë mund të bëhet vetëm kur institucioni të funksionojë si i pavarur.

Edhe pse është institucioni më i rëndësishëm bibliotekar në qytet, investimi nga institucionet lokale për bibliotekën e qytetit të Kaçanikut në kohën e pasluftës ka qenë minimal. Biblioteka sot përballet me probleme bazike si mungesa e mundësive për përditësim të fondit librar dhe inventar të dëmtuar që nuk i përmbush nevojat e lexuesve dhe as punëtorëve.

Sipas përgjegjes së bibliotekës, përgjatë viteve të ‘70-ta dhe të ‘80-ta, biblioteka ka pasur parapagim në shtëpinë e atëhershme botuese “Rilindja” dhe për çdo botim të ri të kësaj shtëpie botuese, ka pranuar deri në dhjetë ekzemplarë nga secili titull, mirëpo për shkak të fatkeqësisë natyrore, vërshimeve të vitit 1979 në Kaçanik, një pjesë e madhe e këtij fondi librar është shkatërruar.

Ndërkohë që në kohën e pasluftës, fondi librar pasurohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës një herë në vit me vetëm rreth 200 libra të rinj, ndërsa pjesën më të madhe të librave dhe infrastrukturës për punë, e kanë siguruar nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendorë. Sfidë e madhe mbetet sektori për fëmijë i kësaj biblioteke, për të cilin në kohën e pasluftës janë ndarë vetëm 1,000 euro gjithsej.

Për sa i përket historikut të lexuesve të bibliotekës, sipas përgjegjëses së këtij institucioni në Kaçanik, para viteve të ‘90-ta biblioteka ka pasur numrin më të madh të lexuesve, ky numër i lexuesve ka rënë dukshëm gjatë viteve të ‘90-ta për shkak të masave të dhunshme, sidomos pas shpalljes së kushtetutës ku studentët e asaj zone janë përndjekur në mënyrë masive nga regjimi serb. Ndërkohë që ka ekzistuar një rënie e numrit të lexuesve edhe pas luftës, që nga viti 2010, sipas përgjegjëses së bibliotekës, ky numër ka shkuar duke u rritur. Edhe pse në mungesë të ulëseve, tavolinave të përshtatshme si dhe ngrohjes, lexuesit megjithatë akomodohen përmes metodave alternative për të shfrytëzuar bibliotekën.

Biblioteka Publike e Qytetit të Kaçanikut, përpos qendrës ka edhe tri nëndegë të tjera në fshatra të Kaçanikut si dhe gjithsej pesë punëtorë të bibliotekës. Biblioteka është e pajisur me dy salla leximi, një për të rritur dhe një për fëmijë. Salla e leximit për të rritur ka kapacitet 168 metra katrore ndërsa ajo për fëmijë 137 metra katrorë. Aktualisht, në bibliotekë janë të regjistruar 579 lexues dhe fondi librar i kësaj biblioteke numëron gjithsej 23.718 libra në degën kryesore ndërsa 16. 265 libra në tri nëndegët.

(Ky artikull është shkruar në kuadër të aktiviteteve të programit Kultura për Ndryshim në mbështetje të bibliotekave publike. Programi Kultura për Ndryshim financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut).