Kultura për ndryshim bën hapjen e thirrjes për aplikime
Qendra Multimedia ka bërë hapjen e thirrjes për aplikime për grante, që bëhet nga projekti Kultura për ndryshim, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky projekt implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.
Qëllimi i ftesës është forcimi i sektorit kulturor si një shtysë për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës përmes përkrahjes të projekteve të qëndrueshme, dhe aktiviteteve të organizatave kulturore që promovojnë kreativitetin, gjithë-përfshirjen sociale dhe bashkëpunimin.
Kultura për ndryshim do të implementohet gjatë një periudhe tri vjeçare në fushën e kulturës dhe arsimit në Kosovë.
Aktivitetet kulturore të propozuara mund të mbulojnë teatrin dhe artet performuese, artet audio-vizuale, kinemanë, fushën e librit dhe botimeve, intervenimet arkitektonike dhe urbane, muzikën, artet vizuale, artizanatet, modën, dizajnin dhe aktivitetet e tjera ndërdisiplinore.
Më shumë informata mund të gjeni në http://qendra.org/kultura-per-ndryshim/paketa-e-aplikimeve/