Projekte Tjera

RECONNECTION 2.0

Reconnection 2.0 është projekt i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga Qendra Multimedia [Prishtinë] dhe Heartefact Fund [Beograd]. Reconnection 2.0 është platformë kulturore e shkëmbimit në mes të dy shteteve. Programi tre-vjeçar është i kuruar në atë mënyrë që t’u ofrojë audiencave nga të dy shtetet mundësi që për së afërti të njohin produksionet kulturore me përqendrim në ato teatrore të dy vendeve. Çdo vit, partnerët do të organizojnë përkthime dramash dhe librash publicistikë si dhe të organizojë shkëmbime të produksioneve teatrore e diskutime letrare e teatrore, rezidenca artistësh dhe shumë ngjarje të tjera publike në Prishtinë, Beograd dhe qytete të tjera në Kosovë e Serbi.

 

READ – RRJETI REGJIONAL PËR DIVERSITET KULTUROR

Projekti – Rrjeti Regjional për Diversitet Kulturor kontribuon për promovimin dhe tolerancën ndërkulturore, me ndihmën e hapjes së kanaleve të reja për komunikim për komunitetet e pavarura kulturore, duke u ofruar mundësi për rrjetëzim jashtë skenës politike. Në vendet e Ballkanit Perëndimor më pak mekanizma sigurojnë komunikim kulturor regjional. Projekti e plotëson këtë hapësirë të zbrazët duke ofruar mundësi për rrjetëzim që do të mundësojnë shkëmbim të përvojave përmes projekteve të përbashkëta, ngjarjeve dhe fushatave publike. Në këtë mënyrë promovohen nismat e ndryshme kulturore dhe sigurohet hapësirë për prezantim të punës së nismave më të vogla në arenën regjionale.

READ është projekt i financuar nga Komisioni Evropian në kuadër të Programit për shoqëri civile dhe media dhe zbatohet nga Goethe-Instituti Shkup bashkë me organizatat partnere: Qendra për Bashkëpunim Ballkanik – Loja (Maqedoni e Veriut), Instituti i Librit dhe i Promocionit (Shqipëri), Kalem Culture Association (Turqi), Association Krokodil (Serbi), dhe Qendra Multimedia (Kosovë). Rrjeti Regjional për Diversitet Kulturor.

 

PRISHTINA NUK KA LUMË – REZIDENCA PËR SHKRIMTARË

“Prishtina nuk ka lumë” është program i rezidencave për shkrimtarë të cilin Qendra Multimedia e ka nisur në vitin 2013. Në kuadër të kësaj rezidence, çdo vit në Prishtinë vijnë deri në katër shkrimtarë nga vende të ndryshme të Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore për të qëndruar e krijuar në Prishtinë. Rezidenca përfshin qëndrimin një mujor në Prishtinë, shpenzimet e udhëtimit si dhe një stipend prej 800 eurosh. Të drejtë aplikimi për programin e rezidencave për shkrimtarë “Prishtina nuk ka lumë” kanë shkrimtarët e letërsisë artistike, poetët, eseistët, iluzionistët dhe kolumnistët, përkthyesit e dramaturgët.

 

KULTURA PËR NDRYSHIM

Kultura për ndryshim ka qenë program tre vjeçar i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Instituti. Përgjatë tri vjetve, përmes këtij programi jane arritur: Prodhimi i një hulumtimi për skenën kulturore të Kosovës i cili është realizuar nga ekspertë ndërkombëtar. Rreth 30 anëtarë të skenës kulturore, artiste, menaxherë kulturorë dhe artistë kanë kontribuar në hulumtim; Mbështetje financiare dhe administrative për më shumë se 90 organizata kulturore, grupe artistike joformale dhe artistë individualë përmes tri thirrjeve për mbështetje; Trajnime dhe punëtori për rreth 15 anëtarë të organizatave të vogla kulturore me përqendrim në strategji të komunikimit dhe ngritje të fondeve. Sesione ballë-për-ballë me përfitues të cilëve iu është shpërndarë Manuali për Zhvillim Strategjik i dizajnuar nga ekspertë të fushës; Mbështetje për bibliotekat publike përmes dhurimeve të librave. Më shumë se 2360 libra iu janë dhuruar bibliotekave ekzisutese dhe biblioteka të reja e kënde leximi janë krijuar në institucione të ndryshme kulturore.