PRISHTINA INTERNATIONAL CREATIVE HUB
17-19 Maj, Prishtinë
Në edicionin e fundit të polip - Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, reflektuam për 13 edicionet e para të festivalit. Ishte një moment përmbylljeje i formatit të vjetër të festivalit, teksa dëgjuam se si autorët tanë e shohin të ardhmen e tij. Këtë vit, atë version po e sjellim në ekzistencë. Nuk do të ecim më në një udhë një dimensionale, por do të krijojmë ndërthurje duke e hapur festivalin ndaj disciplinave të ndryshme të artit. Në këtë edicion të 14-të, në vend se të angazhohemi vetëm rreth një programi publik të aktiviteteve, kthehemi në vetvete në një përpjekje për ta kthyer polip-in në një fole kreativiteti për shkrimtarë, dramaturgë, përkthyes e profesionistë të arteve performuese.
Po e transformojmë këtë edicion të festivalit në një fole kreativiteti, uzinë arti në të cilën krijuesit - sidomos të rinjtë e të rejat - e profileve të ndryshme mblidhen e krijojnë, duke gjeneruar ide, forma e mënyra të reja të shprehjes. Ky edicion, bashkë me të gjithë që do të vijnë pas tij, ndërtohet duke e nderuar të kaluarën e pasur e të lavdishme të edicioneve paraprake të festivalit, të cilat kanë ndërtuar një histori letrare të kësaj pjese të trazuar të globit. Edicionet paraprake, përmes të cilave polip-i është shndërruar në një vend jo vetëm për shkëmbim e rritje letrare, por edhe në një hapësirë guximi, pajtimi, reflektimi e kritike konstruktive, kanë krijuar një themel të fuqishëm mbi të cilin do të ngritet e ardhmja e festivalit.
E nderojmë këtë trashëgimi të ndërtuar nga artistë të guximshëm, duke u kthyer në rrënjët tona, duke krijuar një platforme4 të sigurtë për artistët për të krijuar, eksperimentuar dhe dështuar nëse është nevoja. Jemi mirë të vetëdijshëm se shumë artistëve nuk u ofrohet hapësirë nga institucionet artistike të cilat nuk duan ‘të rrezikojnë’. Prandaj po e ndërtojmë këtë fole ndërkombëtare të kreativitetit, hapësirë që lejon ide të reja të gjenerohen, ekzekutohen, performohen e provohen, pa frikën e përceptimit të dështimit. Po e krijojmë një hapësirë të rritjes dhe zhvillimit artistik në të cilën nuk jemi thjesht audienca, por bëhemi mentorë të njëri-tjetrit përmes angazhimit kritik e domethënës me veprat para nesh.
Rruga e kujtesës
Tema e sivjetme e festivalit është “Rruga e kujtesës”. Kështu, e kujtojmë të kaluarën e bukur të festivalit tonë, që i ka mbjellë farat e asaj që sot e mendojmë si fole ndërkombëtare të artit për artistë të rinj. Në polip 2024, eksplorojmë mënyrat e ndryshme se si puna kreative prodhon kujtesë. Nganjëherë, prodhimi i kujtesës bazohet në temën e zgjedhur nga shkrimtarët dhe artistët e tjerë. Nganjëherë ka të bëjë thjesht me kohën dhe hapësirën në të cilën krijohet një vepër arti. Edicioni i sivjetëm i festivalit do të përqendrohet në diskutimin e punës kreative si proces i ndërtimit të praktikave të kujtesës përmes përkujtimit të autorëve që nuk janë më në mesin tonë, angazhimit me punën e tyre, dhe diskutimeve për artin si proces transformues përmes të cilit çka ka qenë, çka është dhe çka duhet të jetë shkrihen në identitetin e të qenit artist.
Teksa reflektojmë për kujtesën në këtë edicion të rimenduar të polip-it, shohim se si artet janë përdorur për ndërtimin e narrativave të kujtesës. “Qëllimi i secilit artist është të kapë lëvizjen, që është jeta, me mjete artificiale dhe ta mbajë atë të palëvizshme, ashtu që pas njëqind vjetësh, kur një i huaj e shikon, ajo lëviz përsëri sepse është jetë,” ka thënë Uilliam Faulkner në një intervistë për The Paris Review diku kah mesi i të ‘50-ave. Duke e kapur lëvizjen, duke kapur narrativat historike në forma artistike, artistët ndërtojnë narrativa të kujtesës për brezat e ri. Për më tepër, arti ka formësuar kujtesën duke projektuar ëndrrat për të ardhmen, ide e vizione të reja.
Thënë shkurt, e kaluara dhe e ardhmja nuk janë subjekte të ndara. Ato e ushqejnë dhe i japin kuptim njëra tjetrës vazhdimisht. Ëndrrat për të ardhmen reflektojnë përvojat e së kaluarës dhe kujtesa për të kaluarën formësohet nga pritjet dhe vizioni për të ardhmen. Sidoqoftë, jo gjithçka që është e kaluar bëhet kujtesë. Proceset që e përcaktojnë atë që bëhet kujtesë kolektive janë shpesh diskriminuese, të njëanshme dhe ideologjikisht të ndikuara nga pushtete të ndryshme. Ose kështu duket, të paktën. Për shkak se shpesh, më të zëshmit zaptojnë më shumë hapësirë ashtu që tregimet e tyre ose tregimet e atyre që ata duan të përceptohen sikur po i përfaqësojnë, dëgjohen më mirë. Sidoqoftë, kjo asnjëherë nuk i ka dekurajuar artistët të luftojnë për atë hapësirë kolektive në të cilën shpesh e gjejnë veten duke i përfaqësuar zërat më pak të dëgjuar, përvojat e përditshmërisë së njerëzve të thjeshtë, të stigmatizuarve, të diskriminuarve e të përjashtuarve.
Hapësira ku artistët krijojnë është më pak fizike e më shumë ideologjike e metafizike. Artistët krijojnë për të nesërmen.
Programi i plotë do të publikohet së shpejti...