King Lori – Instagration, drama e autorit kosovar Jeton Neziraj do të shfaqet më 7 dhe 8 shkurt në Kleintheater Luzern të Zvicrës, në kuadër të festivalit Unfrisiert.
Në këtë shfaqje, me regji të Katharina Cromme, luajnë aktoret Sysanne Avelein dhe Marie Gesien. Drama në gjermanisht është përkthyer nga Andrea Grill. Menaxher i produksionit është Roland Amrein, kostumet dhe muzikën i ka punuar Bebi Hartig SCM, kurse skenografinë Lukas Stucki.
Shfaqja është prodhuar nga Zürcher Institut für bewegende Künste në bashkëpunim me Qendrën Multimedia nga Prishtina dhe Kleintheater Luzern.
Pas Zvicrës, shfaqja gjatë muajit Mars do të shfaqet edhe në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.
Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. King Lori – Instagration është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten. Përmes muzikës dhe debatit, shfaqja ndriçon dinamikat kontraverse të yllit të muzikës, Loredana dhe politikanes së suksesshme, Ylfetës. Të dyja nga Lucerni, të dyjat me prapavijë emigrimi. Por, krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë këmbëngulin që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflx-i, ose nga Instagrami.
Biletat për këtë shfaqje me datë 7 dhe 8 shkurt mund të blihen drejtpërdrejt në www.kleintheater.ch ose 041 210 33 50