“UNRECOGNIZED” vazhdon rrugëtimin ndërkombëtar me turne në Suedi



Pas premierës botërore në Shkup dhe prezantimeve në Kosovë e Shqipëri, shfaqja ndërkombëtare “UNRECOGNIZED” vazhdon turneun në Suedi gjatë muajit nëntor 2026, me shfaqje në tri qytete suedeze: Malmö, Göteborg dhe Stokholm.

Turneu suedez nis më 13 nëntor në Malmö Stadsteater, ku shfaqja do të prezantohet deri më 15 nëntor. Më 18 nëntor, “UNRECOGNIZED” do të prezantohet në Göteborgs Stadsteater, ndërsa më 21 dhe 22 nëntor do të ngjitet në skenën e Dramaten në Stokholm.

E shkruar nga Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia dhe me regji të Data Tavadze, “UNRECOGNIZED” është një bashkëprodhim ndërkombëtar që bashkon gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia.

Duke u mbështetur në mitin e Ifigjenisë në Tauridë, shfaqja ndërthur dokumentarin, dëshmitë personale, fiksionin dhe humorin për të trajtuar luftën, zhvendosjen, kufijtë, përkatësinë dhe njohjen. Përmes këtyre temave, shfaqja shtron pyetjen se çfarë i ndodh një qenieje njerëzore kur shtëpia, historia apo edhe vetë ekzistenca e saj nuk njihen më.

Turneu në Suedi shënon një tjetër etapë të rëndësishme në rrugëtimin ndërkombëtar të këtij produksioni, duke forcuar bashkëpunimin mes teatrove dhe artistëve nga vende të ndryshme.

Në një shkrim për KOHA, kritiku i teatrit Shaban Maxharraj e përshkruan “UNRECOGNIZED” si “një nga ato shfaqje që bashkojnë histori dhe, nëpërmjet tyre, ia përplasin publikut një duzinë të dhënash e tragjedish, për ta nxjerrë nga zona e komfortit”. Përmes ndërthurjes së historisë antike me realitetet bashkëkohore, shfaqja e sfidon publikun të reflektojë mbi mënyrën se si kufijtë, pushteti dhe vendimet politike përcaktojnë se kush njihet, kush përjashtohet dhe kujt i mohohet e drejta për të përkitur.

Pas prezantimeve në Suedi, turneu i “UNRECOGNIZED” vazhdon në Gjeorgji, me dy shfaqje më 26 dhe 27 nëntor në Royal District Theatre, në Tbilisi.

DATAT E TURNЕUT NË SUEDI – NËNTOR 2026

  • 13–15 nëntor – Malmö Stadsteater, Malmö
  • 18 nëntor – Göteborgs Stadsteater, Göteborg
  • 21–22 nëntor – Dramaten, Stokholm

KREDITET

Teksti: Davit Gabunia dhe Jeton Neziraj | Regjia: Data Tavadze | Aktorë: Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow dhe Shkëlqim Islami.

Bashkëprodhues: Qendra Multimedia, Royal District Theatre, Örnproduktion, Theatre on Pechersk, Teatri Shqiptar Shkup, Malmö Stadsteater, Dramaten dhe Göteborgs Stadsteater.

Projekti mbështetet financiarisht nga Swedish Institute.

Lajme