EURODRAM – Thirrje e hapur për drama të përkthyera



Komiteti Shqiptar i EURODRAM-it publikon thirrje të hapur për drama të përkthyera në gjuhën shqipe, për vitin 2026 - 2027. Për këtë edicion komiteti do të përzgjedhë drama të autorëve të huaj të përkthyera në gjuhën shqipe, që janë përkthyer dhjetë vitet e fundit (pas 1 janarit 2017). Përjashtohen përkthimet të cilat kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme të EURODRAM-it pesë vitet e fundit. Gjithashtu përjashtohen dramat e përkthyera nga spanjishtja e Amerikës latine dhe nga anglishtja jo-europiane.

Dramat e përkthyera mund të dorëzohen nga autorët, botuesit, agjentët etj. në e-mail adresën e mëposhtme:

[email protected]

Titulli i emailit: EURODRAM 2026/2027

Propozimet duhet të përfshijnë:

-  Përkthimin e plotë të dramës.

- Një përmbledhje të shkurtër të dramës së përkthyer (synopsis).

- Një biografi të shkurtër të dramaturgut/es.

- Një faqe faktesh (data dhe vendi i shkrimit, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim dhe produksionet eventuale të mëparshme).

-Informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme.

Për më shumë detaje rreth kësaj thirrjeje: https://eurodram.org/eurodram-call-2026-2027/

Përzgjedhjet e tri dramava më të mira nuk nënkuptojnë ndonjë shpërblim me pagesë. Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit e ndryshëm lokalë e ndërkombëtarë për ta vënë në skenë apo botuar dramën e propozuar.

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 21 dhjetor 2026. Shpallja e rezultateve do të bëhet në 21 mars 2027.

Eurodram është rrjet Europian i përkthimit teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mesdhetare dhe ato të Azisë Qendrore. Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që t'ua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht shumëllojshmërisë gjuhësore.

Për më shumë rreth EURODRAM: https://eurodram.org

Lajme