“TRILOGJI KOSOVARE NË DY PJESË” – PREMIERË MË 7 NËNTOR NË PRIZREN



Qendra Multimedia sjell premierën e shfaqjes “Trilogji kosovare në dy pjesë”, me regji nga Blerta Neziraj dhe tekst të Jeton Nezirajt, më 7 nëntor 2026, në orën 20:00, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, në kuadër të edicionit special të Kosovo Theatre Showcase 2026.

“Trilogji kosovare në dy pjesë” është një shfaqje teatrore që, përmes absurdit, satirës dhe humorit, shqyrton marrëdhënien e Kosovës me Evropën, duke vënë në pikëpyetje idealizimin e saj dhe kontradiktat mes vlerave që ajo proklamon dhe realitetit politik e shoqëror.

Përmes një qasjeje kritike, shfaqja trajton hierarkitë, përjashtimin dhe betejën për njohje, vlerësim dhe dukshmëri, jo vetëm në raportin Kosovë–Evropë, por edhe brenda vetë botës evropiane të teatrit.

Në shfaqje luajnë Adrian Morina, Semira Latifi, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani, ndërsa në pjesën muzikore marrin pjesë këngëtarët Neil Ruçi, Çune Basho dhe Agim Ramaj. Muzika është kompozuar nga Gabriele Marangoni, koreografia është realizuar nga Christina Fulcher, ndërsa dizajni dhe konceptimi i videove nga Yannick Donet.

“Trilogji kosovare në dy pjesë” është bashkëprodhim i Qendrës Multimedia dhe Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Shfaqja prezantohet në kuadër të programit të Kosovo Theatre Showcase 2026, i cili këtë vit zhvillohet nga 6 deri më 8 nëntor në Prizren: [DE]KONTAMINIMI I SË VËRTETËS: A mund ta pajtojë teatri kontradiktën mes të vërtetave? Nëse po, me çfarë kostoje?

Premiera:

7 nëntor 2026, ora 20:00
Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”
Prizren, Kosovë

Për më shumë informata:
https://qendra.org/theater/trilogji-kosovare-ne-dy-pjese/

Lajme