Në kuadër të programit të rezidencave për shkrimtarë të projektit READ, Qendra Multimedia ka organizuar dy ngjarje me shkrimtarin Alban Tufa i cili po qëndron në rezidencë një-mujore në Prishtinë.
Ngjarja e parë është organizuar të enjten më 24 qershor në Teatrin Oda ku Alban Tufa ka lexuar pjesë nga libri i tij më i ri “Një mbrëmje si mbrëmë” dhe ka diskutuar mbi krijimtarinë e tij, letërsinë në Shqipëri dhe ndikimin e letërsisë në shoqëri.
Ngjarja e dytë është organizuar të mërkurën më 30 qershor në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës ku Tufa me studentët ka diskutuar tema interesante si: trendet e reja të letërsisë, zhvillimet kulturore e artistike në Shqipëri si dhe skenën e re letrare në Tiranë. Këto ngjarje janë organizuar nga Qendra Multimedia ndërsa janë zhvilluar në kuadër të projektit Rrjeti Regjional për Diversitet Kulturor - READ.
Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ) është një projekt rajonal i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga Goethe-Institut në Shkup së bashku me organizatat partnere: Qendra për Bashkëpunimi Ballkanik - Loja (Maqedonia e Veriut), Instituti i Librit dhe i Promocionit (Shqipëri), Shoqata kulturore – Kalem (Turqi), Krokodil (Serbi), Qendra Multimedia (Kosovë).