Sot nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e Kosovo Theatre Showcase - ngjarje vjetore e teatrit e cila çdo vit mbledh në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës programues festivalesh, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit. Para publikut shfaqen rreth 10 shfaqje e performanca teatrore nga Kosova, dhe rreth 5 të tjera nga rajoni dhe Evropa ― në një program përcjellës të ‘shfaqjeve mysafire’.
Memorandumi i nënshkruar sot është vazhdimësi e atij të nënshkruar para disa vitesh, dhe tregon rikonfirmimin e vullnetit të skenës së bashkuar lokale të teatrit për të punuar drejt promovimit të punës teatrore të prodhuar në Kosovë. Këtë vit, jemi të lumtur që përpos Qendrës Multimedia, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Teatrit “Adriana” të qytetit të Ferizajt, këtij vullneti iu bashkua edhe Teatri i Qytetit të Prishtinës “Dodona”.
Kosovo Theatre Showcase 2021 do të mbahet ndërmjet datave 02-07 nëntor, 2021. Programi përfundimtar do të shpaloset shumë shpejt, ndërsa këtu mund të gjeni një draft të tij.