Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase vazhdon të mërkurën më 3 nëntor me një seri ngjarjesh interesante që mbahen në lokacione të ndryshme në kryeqytet.
Programi i së mërkurës fillon në në orën 11:00 në Teatrin Dodona me shfaqjen “Bob Watsoni bie nga kati i 9-të por nuk vdes plotësisht” nga Jeton Neziraj në regji të Erson Zymberit. E inspiruar nga “Këngëtarja tullace” e Ioneskos dhe nga vepra “Elefanti zhduket” të Murakamit, kjo komedi rrëfen tregimin e magjistarit Bob Watson të cilit i është ngarkuar një detyrë fisnike nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në shfaqje luajnë: Ernest Zymberi, Ermal Sadiku, Tringa Hasani e Donikë Ahmeti.
Programi vazhdon në Kino Armata prej orës 14:00 ku do të zhvillohet diskutimi i parë në kuadër të Showcase-it. Diskutimi në temën “Si të luhet? Përfaqësimi dhe politika trupit në skenë” mëton të dekonstruktojë rolin e teatrit në luftën për lirinë e shprehjes. Të ftuar janë panelstët: Milo Rau, Julia Wissert, Simon Strauss ndërsa moderatore e këtij diskutimi është Nastazja Domaradzka.
Pas diskutimit, programi i Showcase vazhdon në orën 16:00 në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës ku pas 6 vjetësh kthehet “Hamleti i John Cage-it” nga regjisori i ndjerë Bekim Lumi. Kjo shfaqje përdor një qasje teatrore eksperimantale përmes të cilës Hamleti i Shekspirit ndërthuret, përzihet, shkrihet e tretet në një material bashkë me vizionin muzikor të kompozitorit avangard amerikan John Cage. Premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë më 20 nëntor 2015 ndërsa në shfaqje luajnë Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Luan Durmishi (tenor), Adorel Haxhiaj (violonçelo).
Programi i së mërkurës i Kosovo Theatre Showcase mbyllet me premierën botërore të “Balkan Bordello” të Jeton Nezirajt në regji të Blerta Nezirajt që ipet në Teatrin Oda me fillim prej orës 20:00.
Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga New York, Qendrës Multimedia nga Prishtina, teatrit Atelje 212 nga Beogradi dhe fondacionit My Balkans nga New York dhe Beogradi. E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Në realizimin e kësaj shfaqjeje janë përfshirë artistë nga 7 vende të ndryshme të botës.
Për pesë ditë me rradhë, Showcase-i i këtij viti mbledh në Kosovë, rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë, të prezantojnë punën e tyre si dhe të flasin për çështje të tjera që kanë të bëjnë me teatrin.
Këtë vit Showcase-i prezenton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa ―në një program përcjellës të shfaqjeve mysafire të titulluar “Programi i vendeve pa regjim vizash”.
Kosovo Theatre Showcase organizohet nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit në Gjilan, Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Për të parë programin e plotë, ju lutem vizitoni linkun më poshtë: https://qendra.org/kosovo-theatre-showcase-2021-draft-program/
Për kërkesa rreth intervistave e ftesave në studio lidhur me këtë ngjarje, ju lutem na shkruani në adresën: [email protected]