Edicioni i dytë i “Kosovo Theater Showcase” do të mbahet nga 31 tetor deri më 4 nëntor 2019, në Kosovë. Në këtë edicion do të shfaqen së paku 6 shfaqje të prodhuara nga grupe të ndryshme teatrore në Kosovë, duke përfshirë edhe premierën e shfaqjes “Armiku i vërtetë i popullit” prodhuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë.
Përveq Prishtinës, showcase do të zhvillohet edhe në qytete tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë, mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës. Ky edicion gjithashtu do të sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.
Sivjet do të mirëpresim rreth 50 mysafirë ndërkombëtarë, duke përfshirë selektorë të festivaleve, kritikë të teatrit, gazetarë, shkrimtarë, drejtorë e admiruesë të teatrit nga e gjithë bota.
Në rast interesimi të merrni pjesë, ju lutem na lajmëroni paraprakisht. Na shkruani në email adresën: [email protected] me subjektin (Kosovo Theater Showcase 2019). Ne do të ofrojmë akomodim falas për një numër të kufizuar vizitorësh. Në raste të tjera, ne mund të punojmë me ambasadat dhe institucionet e tjera kulturore për të na ndihmuar të marrim mbështetje financiare për mysafirë.