Gjatë muajit Mars, Qendra Multimedia do të jetë nikoçire e një programi mjaft të pasur teatror, me shfaqje si në Teatrin Oda në Prishtinë, ashtu edhe në teatrot e qyteteve të tjera. Përveç produksioneve të saj, ajo do të mirëpresë para publikut edhe shfaqje të teatrove partnere.
Gjatë këtij muaji, Qendra Multimedia poashtu do nisë provat për projektin e radhës “Handke Project”. Artistë nga Kosova, Italia, Gjermania, Bosnja e Hercegovina e Shqipëria do të takohen për një javë në Prishtinë, për një seri të diskutimeve e hulumtimeve rreth shfaqjes.
Për më shumë, na ndiqni në rrjetet sociale – dhe këtu në websajtin cool të Qendrës Multimedia!
***
Pesë stinët e armikut të popullit
03 Mars 2022, Teatri “Avdush Hasani”, Podujevë
“Pesë stinët e armikut të popullit” flet për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqjena flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.
09 Mars 2022, Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren
Me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Agon Myftari, në shfaqjen “Audienca e Vaclav Havelit”, shteti autoritar ka ngritur një sistem të çuditshëm byrokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene, aneks-vendime e aneks-nene… bash si një rrjetë e hekurt merimange, që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithësecilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.
12 Mars 2022, Teatri “Adriana”, Ferizaj
“Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm.
15 Mars 2022, Teatri i Qytetit, Gjilan
16 Mars 2022, Teatri “Adriana”, Ferizaj
17 dhe 18 Mars 2022, Teatri ODA, Prishtinë
Me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Katharina Cromme, shfaqja “King Lori” është prodhuar në bashkëpunim mes Zürcher Institut für bewegende Künste; Qendra Multimedia dhe Kleintheater Luzern. Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. King Lori – Instagration është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten. Përmes muzikës dhe debatit, shfaqja ndriçon dinamikat kontraverse të yllit të muzikës, Loredana dhe politikanes së suksesshme, Ylfetës. Të dyja nga Lucerni, të dyjat me prapavijë emigrimi. Por, krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë këmbëngulin që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflx-i, ose nga Instagrami.
Marksistët dhe Leninistët e Zvicrës
21 Mars 2022, Teatri ODA, Prishtinë
Marksistët dhe Leninistët e Zvicrës”e prodhuar nga Teatri “Adriana – Ferizaj, është një rrëfim komik policor për këtë grup idealistësh, të cilët, nga nëntoka e Zvicrës, organizojnë dhe iniciojnë luftën e Kosovës, krijojnë aleancë ushtarake me NATO-n, dhe pastaj e themelojnë shtetin e Kosovës. Kjo komedi na zbulon një botë të mistershme të ilegales shqiptare në Zvicër, ku përndjekja policore, sulmet me bomba, mbledhja e fondeve milionëshe, e organizimi i luftës, ballafaqohen me ‘neutralitetin’ e jetës zvicerane.