Premiera: 16 tetor, 2020. Ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës
Teksti: Jeton Neziraj // Regjia: Blerta Neziraj // Luajnë: Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpetim Selmani // Skenografia dhe kostumet: Jelisaveta Tatić Čuturilo // Koreografia: Gjergj Prevazi // Kompozitor: Gabriele Marangoni // Dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik: Alban Beqiraj // Bashkëpunëtor për skenografi: Mentor Berisha // Video: Ilir Gjocaj // Menaxhere e Skenës: Lendita Idrizi // Bashkëpunimi ndërkombëtar: Maud Dinand // Koordinimi: Beqir Beqiri // Përkthimi në anglisht: Alexandra Channer // Dritat: Mursel Bekteshi, Yann Perregaux // Drejtor Teknik: Fatlum Idrizi // Media: Arif Muharremi, Aurela Kadriu // Pëshpëritëse: Nazmije Krasniqi
Prodhuar nga: Qendra Multimedia (Prishtinë, Kosovë),
Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Volksbuhne Berlin (Berlin, Gjermani)
Foto: Atdhe Mulla
Reviews:
Reth shfaqjes
Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm.
Në shfaqjen tonë, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera.
Në njërën anë një perëndim i idealizuar, qerdhe e dijes, shkencës, kulturës e civilizimit, me katolikë që mbajnë fjalën, të shkathët e të menqur, kurse në anën tjetër një lindje ekzotike, despotike, me njerëz të pagdhendur, të padinjitetshëm, hajdutë e muslimanë që Zot kanë plaçkën – kjo është pjesë e trashëgimisë letrare në disa prej romaneve të shkrimtarit kult gjerman, Karl Maji.
Cili është ndikimi i kësaj krijimtarie letrare në perëndim sot – veçanërisht në tokat gjermanike, prej nga dhe vjen Maji?
Shfaqja i bënë një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”, dhe e cila, në babelin e letrave burokratike të EU-së na vjen në variantin e garës muzikore Eurovizion – pra si një Evropë e dashurisë, e harmonisë, e shkëlqimit e diversitetit, por që në thelb, e në realitet, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-muslimane e anti-lindje! Është një Evropë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet!
Përderisa Karl Maji dhe shkrimet e tij mund të ‘shfajësohen’, me arsyetimin se ai ka jetuar në një shekull të padijes, të errësirës dhe të mundësive të kufizuara të komunikimit e qarkullimit të informatave, si mund të amnistohet e justifikohet një autor si Peter Handke? Një autor bashkëkohës i yni, që mohon gjenocidin në Bosnjë, dhe i cili për qëndrimet e tij fashiste merret në mbrojtje nga shumë intelektualë e gazetarë evropian (në emër të lirisë krijuese, natyrisht), dhe për më tepër kontributi i tij (jo vetëm letrar) njihet e vlerësohet, jo më vetëm me Ibsen Award, por edhe me Çmimin Nobel!
Ja, ky është bilanci i një Evrope që pos katër lirive dhe barazitarizmit, vetvetes është duke i projektuar edhe një anë tjetër me të ardhme të zymtë, të errët madje. Trumpët evropianë janë në ardhje e sipër! Sipari është hapur, rruga e tyre është duke u shtruar, bukur, me lajle-lule, edhe letrare madje! Fjalimet e Handkes & Co janë aty, për ata në ardhje që do të duan të bëjnë një “Let’s make Europe great again”, një Evropë nga e cila Kara Ben Nemsët e rinj do të nisen sërish, jo me kuaj, por ndoshta me tankse tani, për të eksploruar, edukuar e civilizuar lindjen barbare – dhe çdo lindje tjetër që nuk është si perëndimi i tyre. Kuptohet, edhe në Lindje po kështu lulëzojnë frustrimet dhe racizmi ndaj refugjatëve ballkanas dhe atyre të botës së tretë.