Premiera me 18 nëntor, Teatri Oda, 16:00
"Audienca nga Vaclav Haveli"
dramë njëaktëshe nga Jeton Neziraj
Regjia: Agon Myftari
Aktorët: Shpëtim Selmani dhe Dukagjin Podrimaj
Skenografia dhe kostumet: Nicola Minssen
Muzika: Tomor Kuci
Fotot nga: Atdhe Mulla
Rreth shfaqjes
Në një shpjegim të reduktuar do të thoshim që drama “Audienca e Vaclav Havelit” është pak a shumë si “Audienca” e Vaclav Havelit. E dimë, duket fjali konfuze kjo, por mos hiqni dorë, vazhdoni të lexoni sepse teksti në vazhdim është më i kuptueshëm.
Në “Audienca e Vaclav Havelit”, një drejtor i një teatri vizitohet nga një hetues policie, i cili ka me vete një dosje hetimore të quajtur “dosja teatri”. Por ky s’është një hetues dosido, por një asi tipi kurreshtar i cili para se të kërcejë nga një lëndë në tjetrën, studion, analizon, informohet dhe tek pastaj i nisë hetimet.
Hetuesi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, e ka lexuar madje edhe “Sistemin” e Stanisllavskit, një libër ky i mbiquajtur edhe si Bibla e Kurani i teatrit. Por nejse, se ky nuk është thelbi i kësaj drame. E cili është thelbi, do të pyesni ju? Puna është se, drama nuk ka fare thelb. Por, a ka së paku konflikt, do të pyeste dikush? Paj, si të themi, si ta marrësh!
Në “Audienca e Vaclav Havelit”, shteti autoritar ka ngritur një sistem të çuditshëm byrokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene, aneks-vendime e aneks-nene… bash si një rrjetë e hekurt merimange, që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithësecilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.
Është e parëndësishme që ti nuk ke bërë ndonjë gabim, prapë se prapë do të gjendesh fajtor, sepse diku aty ekziston një nen, në njërin prej ligjeve a rregulloreve të pafundme, që dëshmon se ti ke qenë në ‘konflikt interesi’ me… se iu ke shmangur nenit b apo f të ligjit për… Ti dëshiron të mbrohesh, prandaj thirresh në një ligj tjetër, siç thirret në ligjin që e ‘garanton lirinë krijuese’, personazhi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, por ncuk, krejt e kotë, sepse gjithmonë është edhe një ligj tjetër, dhe pastaj edhe një rregullore e madje edhe një nen kushtetute që dëshmon të kundërtën. Dhe prandaj edhe drejtori i “Audiencës së Vaclav Havelit” gjendet fajtor.
Keq ë? Epo jo, prisni, se nuk është gjithçka terr e zi. Ka shpëtim, mjafton të nënshtrohesh, të heqësh dorë nga ca parime dhe pasta je në rregull me të gjitha ligjet e rregulloret e botës… Sepse në rrjetën e shtetit autoritar të “Audiencës së Vaclav Havelit”, gjithmonë gjendet edhe një nen rezervë diku, që të shpëton me faqe të bardhë, ose gjendet një klauzolë diku, në dukje të parë krejt e parëndësishme, por që mban në vete fuqinë e mbinatyrshme të të shfajësojë për krejt maskarallëqet që mund t’i kesh a mos t’i kesh bërë!
Dhe mos e dashtë fati të gjenden të tilla nene e klauzola mrekullibërëse, atëherë të mjafton t’i bësh një favor të vogël fare (favorth madje), një zyrtari shteti… Dhe pastaj je në rregull. Ankthi i problemit me ligjin zhduket si me magji. Bëhesh sërish i pastër, i pafajshëm. Bëhesh njeri i shtetit.