Diskutimi publik letrar me autorin Tino Caspanello, botuesin Italian Maximilian La Monica e poetin kosovar Arben Idrizi do të mbahet të merkuren më 25 shtator në hapësirat e Qendra Multimedia në Prishtinë.
Ky lexim mbahet në kuadër të promovimit të dy dramave të z. Caspanello të publikuara në gjuhën shqipe nga Qendra më 2019.
Përveç leximit të fragmenteve të këtyre dramave nga aktorët Adrian Morina dhe Alketa Sylaj, publiku do të ketë mundësi bashkëbisedimi me z. Caspanello mbi krijimtarinë e tij letrare, teatrin Italian, përkthimet teatrore si dhe trendet bashkëkohore të letërsisë.
Tino Caspanello (1960) është themelues i shoqërisë teatrore Teatro Pubblico Incanto me të cilën ka vënë në skenë 35 shfaqje e spektakle. Më 2003 ai ka marrë Çmimin Special të Jurisë së Premio Riccione Teatro ndërsa më 2008 ka fituar çmimin e Associazione Nazionale dei Critici di Teatro në Itali.
Kjo ngjarje fillon në ora 18:00.
Mirësevini!