Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase vazhdon të premten më 5 nëntor me shfaqjet e produksionit vendor dhe atij ndërkombëtar të cilat performohen në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.
Programi i së premtes fillon në orën 11:00 në Teatrin e Qytetit në Gjilan me shfaqjen “A.Y.L.A.N.” të Jeton Nezirajt në regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja është e vendosur në qytezën e vogël Roccalumera në Sicili ku nuk ndodh asgjë me rëndësi, ndërsa banorët e kapluar nga mërzia e dëshpërimi, presin ardhjen e refugjatëve përmes detit. Luajnë: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi.
Prej orës 15:00 në Teatrin Dodona zhvillohet International Theatre Market, një sesion prezantimi i profesionistëve të teatrit me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit. Prezantimet do të bëhen nga Florent Mehmeti, Paul Piik, Nastazja Domaradzka, Dominique Dolmieu dhe Giacomo Pedini.
Pas këtij sesioni, në këtë teatër do të ipet shfaqja mysafire nga Zvicra, “The Swiss Connection” nga Jeton Neziraj në regji të Manuel Bürgin. Shfaqja flet për jetën e dyfishtë të Këmbëshpejtit në Zvicër gjatë luftës në Kosovë më 1998. Në shfaqje luajnë: Aurita Agushi, Nina Mariel Kohler, Christoph Rath e Adrian Morina. Shfaqja poashtu do të reprizohet prej orës 19:30.
Prej orës 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës ipet shfaqja mysafire “Plus 18” nga teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë. Shfaqja ka për skenaristë David Mamet dhe Arian Krasniqi ndërsa vie në regji të Qëndrim Rijanit. Shfaqja rrëfen për konfrontimin e dy personazheve, beteja e të cilëve në mes rreshtash flet për botën e errët që na rrethon. Luajnë: Myrvete Kurtishi, Altina Kusari, Arbies Komoni, Vlora Dervishi, Yllka Lota, Edi Kastrati, Vlera Pylla, Bujar Ahmeti, Valon Pallaska, Edi Gjakova, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Muradije Muriqi e Elida Shasivari.
Prej orës 20:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj shfaqet “Balkan Bordello” nga Jeton Neziraj në regji nga Blerta Neziraj, premiera e së cilës u shfaq në Prishtinë më 3 nëntor. E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.
Poashtu prej orës 20:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan ipet shfaqja mysafire nga Qipro, “Incidenti i Madelinës” nga Jeton Neziraj në regji të Marios Theocharous. Shfaqja flet mbi një familje rome të dëbuar nga Gjermania e cila është në kërkim të shtëpisë në Kosovën kaotike. Në shfaqje luajnë Andreas Nicolaides, Miranda Nychidou, Athena Savva.
Për pesë ditë me rradhë, Showcase-i i këtij viti mbledh në Kosovë, rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë, të prezantojnë punën e tyre si dhe të flasin për çështje të tjera që kanë të bëjnë me teatrin.
Këtë vit Showcase-i prezenton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa ―në një program përcjellës të shfaqjeve mysafire të titulluar “Programi i vendeve pa regjim vizash”.
Kosovo Theatre Showcase organizohet nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit në Gjilan, Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Për të parë programin e plotë, ju lutem vizitoni linkun më poshtë: https://qendra.org/kosovo-theatre-showcase-2021-draft-program/
Për kërkesa rreth intervistave e ftesave në studio lidhur me këtë ngjarje, ju lutem na shkruani në adresën: [email protected]