Të shtunën më 14 shtator, ekipi i shfaqjes “Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” u pritën nga publiku i Piccolo Teatronë Milan të Italisë.
Piccolo Teatro është teatër permanent i themeluar në vitin 1947 në Milan, i pari i këtij lloji në Itali dhe përbën një element të rëndësishëm të identitetit historik dhe artistik të shtetit italian.
Aktorët e shfaqjes u mirëpritën me duartrokitje të zgjatura nga mbi 300 të pranishëm në audiencë, ndër të cilët pati kritikë teatri, regjisorë e aktorë.
“Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” ishte pjesë e Tramedautore 2019, i cili përbën ekzaminim të kulturës euro-mesdhetare dhe një festival të performancës i cili ekzaminon rregullat e bashkëjetesës, duke ndihmuar në rikonstruktimin e horizonteve dhe tejkalimin e vetmisë. Këtë vit festivali është përqendruar në dramën siciliane, ndërsa në aspektin ndërkombëtar, i ka dhënë vend shfaqjes me tekst të Jeton Nezirajt dhe regjitë Blerta Nezirajt.
Më shumë për shfaqjen në këtë vegëz:
http://qendra.org/theater/nje-shfaqje-teatri-me-4-aktore/
Gjatë këtij muaji dhe muajit tetor, Qendra Multimedia do të udhëtojë më 29 shtator, 2019 në Theater Im Theater im Pfalzbau, Ludwigshafen, Gjermani me shfaqjen “55 Shades of Gay”; 3 tetor, 2019 në Vidy Théâtre, Lausanne, Zvicër me shfaqjen “Një shfaqje me katër aktorë…”; më 18 tetor në Célestins, Théâtre de Lyon / Festival Sens Interdits, Festival International de Théâtre, Lyon, Francë me shfaqjen “Peer Gynti nga Kosova” dhe më 30 tetor, 2019 në Drama Queer Festival, Bratisllavë, Sllovaki me shfaqjen “55 Shades of Gay”.
Gjithashtu nga data 31 tetor deri më 4 nëntor, Qendra Multimedia organizon edicionin e dytë të Kosovo Theater Showcase.