Regjia: Blerta Neziraj / Aktorë: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selami / Muzikantë: Art Lokaj, Drin Tashi / Muzika: Gabriele Marangoni / Koreografia: Adrienne Hart / Skenografia: Petra Veber / Kostumet: Vesa Kraja / Dizajni i dritave: Radomir Stamenkovic / Ass. regjisore: Enkeleda Arifi / Menaxhere skene: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Sophia Sinani / Udhëheqës teknik: Denis Berisha / Dritat: Mursel Bekteshi, Denis Berisha / Teksti: Jeton Neziraj
Premiera: 26 shtator, 2016, Teatri Kombëtar i Kosovës
Një shfaqje teatri me 4 aktorë, me disa derra, disa lopë, disa kuaj, me një kryeministër, me një ‘Milka’ dhe me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë.
THERTORJA ‘TONI BLAIR’ NË PRISHTINË
Mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet. Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia. Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.
Thertorja Tony Blair në Prishtinë, nga tash e tutje, duhet të fillojë të shesë mish me cilësi dhe prejardhje të kontrolluar. Në përpjekjen e tyre për të plotësuar këtë kusht, pronarët e thertores bëjnë një udhëtim kafkian nëpër administratën qeveritare, duke pasur të bëjnë me burokratë e zyrtarë halabakë e të korruptuar. Madje, në kopshtin zoologjik të Shkupit, atyre u duhet të vjedhin edhe një gjirafë për Kryeministrin e Kosovës, të cilin ai e ha për ditëlindjen e tij.
Dhe derisa njerëzit e shtetit të ri angazhohen me naivitet në këtë sfidë të re, bota orvelliane e kafshëve mobilizohet dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë momentum politik për të adresuar e artikuluar kërkesat e tyre për therje më të dinjitetshme.
E shkruar nga një cinik vendas, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’.
Ky projekt është i mbështetur nga The Olof Palme International Center, Culture for All, Ministria e Kulturës si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.