Regjia: Blerta Neziraj / Teksti: Jeton Neziraj / Aktorë: Adrian Morina, Semira Latifi, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani / Këngëtarë: Neil Ruçi, Çune Basho, Agim Ramaj
Kompozitor: Gabriele Marangoni / Koreografia: Christina Fulcher / Dizajni dhe konceptimi i videove: Yannick Donet / Kostumet: Youliana Voykova / Skenografia: Igor Vasiljev / Dizajni i dritave: Vincent Longuemare / Konsulent dramaturgjik: Jørgen Knudsen / Ass. regjisor: Gëzim Hasani
Producentë ekzekutivë: Aurela Kadriu, Burim Mustafa / Koordinatorë të produksionit: Flaka Rrustemi, Mahir Musliu / Mbikqyrës teknik: Mentor Berisha / Video-promocioni: Besim Ugzmajli / Dritat: Mursel Bekteshi, Fikrim Menekshe / Toni: Flamur Krasniqi, Bujar Bekteshi / Grimi: Canan Cibo / Garderobiere: Vjollca Hoxhaj / Dekorater: Murat Javori / Komunikimi: Florida Kastrati / Materialet vizuale: project GRAPHICS
Premiera: 07 nëntor, 2026 | Teatri i Qytetit të Prizrenit "Bekim Fehmiu"
RRETH SHFAQJES
Akti i parë i kësaj ‘trilogjie’ shpërfaqë zellin e shoqërisë kosovare e cila me këmbëgulje mundohet që politikisht e kulturalisht të zhvendoset dhe të përshtatet në ‘civilizimin evropian’, ku beson se përket historikisht. Mes paradokseve, konflikteve e pasigurisë, njerëz e kafshë të Kosovës mobilizohen për të plotësuar standardet që kërkohen, në mënyrë që Kosova të mund t’i bashkohet BE-së. Akti i dytë, e zhvendos shqyrtimin, analizën e kritikën tek vetë Evropa, e cila në kulturën popullore njihet si ‘shtriga plakë’, apo ‘the old bitch gone in the teeth’, siç e ka quajtur Ezra Pound. Traumat historike, konfliktet politike, kontradiktat, cinizmi, arroganca, e babilo-byrokracia e shpërfaqin Evropën siç është, përtej atij idealizimit naiv kosovar, por edhe përtej besimit se ajo mbështetet fort pas demokracisë e vlerave të cilat i proklamon.
Aktori: U dërmuam duke kalëruar nëpër Evropë, por ende nuk e kam të qartë se çka përfaqëson kjo Evropa! Çfarë raporti kam me Evropën si aktor, e çfarë raporti kam me Evropën si shqiptar. “Ç’ka Evropa me mua, ç’e kam unë Evropën, që po e qaj?”, siç do të thoshte Shekspiri.
Regjisori: Si aktor ti e ke njëfarë pasigurie, se pavarësisht se qasja jonë në shfaqje është brehtiane, ti je edukuar me metodën e Stanisllavskit, që konsiderohet e tejkaluar në Evropë, shto edhe që ty t’pëlqen teatri oriental i hijeve… Pra, e ke njëfarë kompleksi artistik të inferioritetit. E si shqiptar ti ndihesh sikur je fëmijë mitik i Evropës, por je fëmijë i braktisur. Evropën ti e do pa kushte, si fëmija nanën e vet. Por a të do Evropa ty? Kjo është çështja që të brengosë!
“Trilogji kosovare…” është një përpjekje për ta ritreguar historinë bashkëkohore evropiane, bashkë me fundamentin e saj euro-centrist e kiçin ideologjik që na ekspozohet i paketuar nën makijazhe patetike të formateve si ai i Eurovizionit.
Nën absurditetin e garave për poena e të betejave për njohje e vlerësim, fshihet një botë e strukturuar nga hierarkitë e krijuara nga “klubi i të fuqishmëve” e i “vendimmarrësve”. E, në atë botë aty, ka një ndarje si me thikë: mes atyre që vlerësojnë dhe atyre që vlerësohen; atyre që lejohen të hyjnë dhe atyre që mbeten jashtë; atyre që therren me thikë të ndryshkur e atyre që mbyten me injeksione evropiane; mes atyre që janë shtetas e mes atyre që ngelin të huaj – e kështu me radhë.
Të njëjtët mekanizma veprojnë edhe brenda botës evropiane të teatrit, ku artistët dhe institucionet teatrore garojnë për dukshmëri, njohje dhe qasje.