QENDRA MULTIMEDIA
A YEAR IN REVIEW 2023
Viti 2023 ishte përplot dinamikë për ne në Qendër. E filluam me turneun e tri shfaqjeve tona “Burrnesha” (2022), “Kthimi i Karl Majit” (2020) e “Pesë stinët e armikut të popullit” (2019) në Teatrin Eksperimental në Tiranë. Mirëpritëm 25 anëtarët e rrjetit ONDA - Zyra Franceze për Qarkullimin e Arteve Bashkëkohore Performuese brenda ciklit tematik “Bashkëpunimi në kontekst” ku organizuam shfaqje në Prishtinë e Gjilan si dhe shumë takime rrjetëzuese ndërmjet akterëve të skenës lokale të pavarur të kulturës. E vazhduam me prodhimin e shfaqjes “Gadjo” në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental - Tiranë, premierën e së cilës e dhamë në Tiranë në pranverë të vitit 2023. Në maj, organizuam edicionin XIII të polip - Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë. Nën temën “Për në far”, mblodhëm rreth 30 shkrimtarë e përkthyes nga vende të ndryshme të botës, në një edicion tribut për festivalin. Në polip XIII botuam edhe monografinë “Deti i ndryshimit: festivali ndërkombëtar i letërsisë polip - 13 edicione në 13 vjet të turbullta”.
Gjatë verës, organizuam turneun e shfaqjes tonë The Handke Project (2023), në Maribor, Nova Goricë e Ptuj të Sllovënisë, për ta përmbyllur atë në Zagreb të Kroacisë. Në gusht nisëm provat për shfaqjen tonë “Negotiating Peace”, e cila u dha si premirë më 16 tetor, 2023. Në fund të teatorit poashtu organizuam edicionin e gjashtë të Kosovo Theatre Showcase, të cilin e organizuam në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Arteve Bashkëkohore Performative - IETM dhe mirëpritëm mbi 80 mysafirë nga e gjithë bota, të cilët u njohën për së afërmi me skenën vendore teatrore, përmes shfaqjeve që u dhanë në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj e Gjakovë si dhe u takuan nëpër panele diskutimi e ngjarje të tjera rrjetëzuese me akterë të ndryshëm të skenës lokale kulturore. Vitin e përmbyllëm me shfaqjen “Charles III” të cilën e dhamë premierë në dhjetor të vitit 2023.
Ndërmjet këtyre momentumeve të rëndësishme të punës tonë, bashkë-organizuam program të pasur vjetor në Teatrin ODA, ku për çdo muaj ofruam shfaqje e ngjarje të tjera kulturore për publikun.
Gjithashtu, përgjatë gjithë vitit 2023, me shfaqjet tona Negotiating Peace, The Handke Project, Burrnesha e Kthimi i Karl Majit udhëtuam nëpër rajon e Evropë dhe kemi dhënë më tepër se 25 repriza të këtyre shfaqjeve vetëm jashtë Kosovës, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Rumani, Itali, Gjermani e Çeki.
Qindra platforma ndërkombëtare të kritikës teatrore dhe kulturore e patën në fokus punën tonë në vitin 2023. Poashtu, u shpërblyem me disa çmime, të cilat na kanë gëzuar e frymëzuar edhe më për të vazhduar punën. The Handke Project u shpërblye si shfaqja më e mirë e vitit 2022 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Në edicionin e 38-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ - FIAT në Podgoricë, shfaqja The Handke Project u shpërblye si shfaqja më e mirë ndërsa Arben Bajraktaraj u shpërblye si aktori më i mirë. Drama The Handke Project e Jeton Neziraj, fitoi çmimin Les Journées de Lyon des Auteurs de théâtre për dramën më të mirë të huaj ndërsa në edicionin e 13-të të festivalit “Etnofest” shfaqja Gadjo u shpërblye si shfaqja më e mirë, Blerta Neziraj për regjinë më të mirë për shfaqjen “Gadjo” ndërsa Edona Reshitaj u shpërblye si aktorja më e mirë për rolin e saj në shfaqjen “Gadjo”, në edicionin XIII të festivalit “Etnofest” dhe në edicionin II të festivalit “Moisiu”.
Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj të gjithë/a atyre njerëzve (bashkëpunëtorë, miq, vizitorë, publik) me të cilët kemi ndarë kaq shumë momente gëzimi në vitin 2023. Të gjithë këto suksese janë të përbashkëta dhe për këtë ju jemi falenderues çdo ditë. Mezi presim të ndajmë momente po kaq të jashtëzakonshme edhe në vitin 2024!
Faleminderit nga zemra,
Ekipi i Qendrës Multimedia