(Diskutim mbi politikat identitare dhe pasojat për letërsinë)
Kohët e fundit dy çështje kanë dominuar diskursin publik, veçanërisht në Perëndim: Të
gjitha identitetet kanë të drejtën e njëjtë të ekzistojnë e të trajtohen në mënyrë të
barabartë, por ndonjëherë interesat e grupeve të caktuara duket të jenë në kundërshtim
me njëra-tjetrën. A do të thotë të mbash një qëndrim kritik kundër një opinioni me të cilin
ne nuk pajtohemi e përbën ‘cancel culture’?
Kjo ngrit pyetjen: Cila është marrëdhënia në mes të lirisë dhe lirisë së shprehjes, dhe,
në cilin rast liria e shprehjes së një grupi kërcënon lirinë e një grupi tjetër?
Ku përfundon liria artistike dhe kur fillon nevoja për të qenë ‘politikisht korrekt’ në
krijimin artistik? A mund të konsiderohet një vepër artistike si ‘e mirë’ nëse anashkalon
ndërlidhjen midis lirisë krijuese dhe korrektësisë politike? A mund të ketë literaturë të
mirë që shkon kundër këtyre parimeve dhe që sfidon këtë ndërlidhje dhe këta kufij, të
cilët shpesh janë të padukshëm? Cili është kufiri midis lirisë krijuese – kush e përcakton
këtë kufi – dhe a është vjetëruar apo përforcuar ky kufi nga ‘epoka’ e ‘cancel culture’? A
kërkon arti një ‘kujdestar ideologjik?’ Nga ana tjetër, si duhet të kërkojmë llogari nga
artistët që abuzojnë dhe fshihen pas ‘lirisë së tyre krijuese’. Peter Handke përpiqet të
fshehë pas ‘letërsisë’ pikëpamjet e tij fashiste ndaj luftës në Bosnjë ose siç thotë ai,
‘gjithçka është letërsi’.
Ky debat është larg nga përfundimi. Në protestat kundër JK. Rowling, e cila u akuzua
për transfobi për talljen me termin “njerëzit që kanë menstruacione”, u panë aktivistë të
zemëruar transgjinorë që digjnin librat e saj ndërsa shkrimtarja kundërshtohej nga të
gjitha anët. A nuk e kufizon kjo lirinë e autorit për tu sulmuar në këtë mënyrë? A nuk
ishte ajo e lirë t’i thoshte këto gjëra në radhë të parë? Kush vendosi për këtë? A janë
ata që e sulmojnë shkrimtaren të së Djathtës apo janë të Majtë? A është djegia e librave
tani një metodë e pranueshme proteste? Dhe kush vendos për këtë?
Artistja dhe autorja austriake e kabaresë, Lisa Eckhart, e cila sipas shumë kritikëve përdor stereotipet antisemitike dhe raciste, u përjashtua nga një festival në Hamburg sepse dyshohej se rrezikonte protesta të dhunshme nga e majta radikale. Kjo gjë u dënua si pengesë e lirisë së artit dhe lirisë së shprehjes në përgjithësi, por debatet mbi 'cancel culture' shpesh filluan në të Djathtën, ku e Majta akuzohej për shfaqjen e një qëndrimi gjoja antidemokratik.
Sugjerohet se tepria e korrektësisë politike nga e Majta çon në parandalimin e lirisë, por nën maskën e kësaj lirie, e Djathta shtyn kufijtë e asaj që mund të thuhet. Kjo shpesh rezulton në revizionizëm historik, racizëm dhe antisemitizëm. "Do të na lejohet ta themi" është bërë thirrja e populistëve dhe së djathtës, e përdorur shpesh qëllimisht për të përhapur parulla anti-feministe, antisemitike, islamofobike dhe ksenofobe.
Në çfarë mënyre ne, si shkrimtarë, i trajtojmë këto probleme pa e kufizuar lirinë e shprehjes dhe pa qenë ofendues ndaj njerëzve të tjerë që nuk i përkasin këtij nocioni të supozuar "Ne"?
Ne jetojmë në një epokë identitetesh. Identiteti ka lënë në hije nocionin e klasës, pa sjellë ndonjë përfitim ekonomik: Një pakicë e vogël njerëzish janë ende jashtëzakonisht të pasur dhe pjesa tjetër jashtëzakonisht e varfër ndërsa kjo ndarje ekziston në nivel global si dhe brenda shoqërive. Debati për identitetet e zhvendos fokusin nga ai ekonomik në atë kulturor.
Cilat janë pasojat e këtyre diskutimeve për letërsinë? A mundet një shkrimtare që nuk është lezbike të shkruajë një roman nga perspektiva e një lezbikeje? Apo një i bardhë nga perspektiva e një të ziu? A do ti lejohej Shekspirit të shkruante Othellon sot? A munden aktorët heteroseksualë të luajnë personazhet kryesore homoseksuale në teatër? A lejohet shpallja e parullave antisemitike si letërsi në emër të lirisë së fjalës? A mund të gënjejë një autor për faktet historike në veprën e tij? Si mundet dikush ta dijë nëse është pjesë e një procesi artistik apo propagande ideologjike? Kush është përgjegjës për analizimin e kësaj? Debati në vendet perëndimore se kujt i lejohet të përkthejë veprën e poetes amerikane Amanda Gorman tregoi se sa serioze është çështja e identiteteve në krahasim, për shembull, me teoritë e përkthimit dhe përceptimit tekstual.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Letërisisë - polip 2021, ne dëshirojmë të reflektojmë në përvojat e shteteve ballkanike dhe ti vëmë ato në kontekst të këtyre diskutimeve globale.