Më 9 dhe 10 qershor, me shfaqjen tonë The Handke Project luajtëm në teatrin “BITEF” në Beograd, duke e përmbyllur kështu turneun rajonal (Prishtinë, Ferizaj, Shkup, Beograd) të këtij projekti tejet kërkues jo vetëm në kuptim të produksionit, por edhe përgjegjësisë ndaj publikut.
Nuk kishim për qëllim të provokojmë e as të prodhojmë diçka që do të hapte debat për hir të debatit, por ishim të bindur - edhe për shkak të bashkëpunimit e konsultimeve të vazhdueshme me njerëz të përfshirë në debatin publik për Peter Handke - se po prodhonim një shfaqje që publiku edhe në Kosovë edhe në Serbi edhe në Itali e Gjermani e kudo që të luhet kjo shfaqje, meriton ta shohë dhe për të cilën duhet të bisedojë e të reflektojë më hapur.
Një diskutim është hapur për fenomenin Handke dhe nevojën për çlirim të shoqërisë serbe nga kulti i tij. Është duke u folur dhe shpresojmë që do të vazhdojë të flitet. Ashtu siç kemi pritur, disa na kanë vlerësuar për punën në këtë projekt e disa janë ndierë të ofenduar e të provokuar. Një gjë na është dëshmuar: kemi pasur të drejtë kur kemi këmbëngulur që ta bëjmë këtë shfaqje dhe ta luajmë në një teatër publik në Serbi. Nganjëherë, publiku është më i gatshëm t’i pranojë dhe të angazhohet në debatet e vështira, sesa jemi ne për t’i hapur ato përmes artit.
Jemi shumë falënderues ndaj partnerëve tanë në Heartefact Fund në Serbi për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces dhe për organizimin e pritjen e shkëlqyeshme gjatë qëndrimit tonë në Beograd. Por poashtu, dëshirojmë t’i falenderojmë teknikët e skenës së teatrit Bitef, për ndihmën, pritjen dhe kolegialitetin. Natyrisht, falenderime pafund kolegëve tanë në Teatrin Shqiptar në Shkup dhe teatrin “Adriana” të Ferizajt për mikpritjen dhe ndihmën.
Falemnderit publikut në Prishtinë, Ferizaj, Shkup e Beograd!
Këtu mbaron pjesa e parë e turneut të shfaqjes The Handke Project, për të vazhduar me pjesën e dytë më 23 korrik në Teatrin “Adelaide Ristori” në Itali; 25-30 tetor në Kosovo Theatre Showcase në Kosovë; 10-11 nëntor në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në tetor në Teatrin e Dortmundit në Gjermani. E tutje, në Evropë...
The Handke Project është shfaqje e Qendrës Multimedia në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali); Teatrin e Dortmundit (Gjermani); Teatrin Kombëtar të Sarajevës dhe Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Scene MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë).
Mbështetur nga: Allianz Kulturstiftung… for Europe, The Sigrid Rausing Trust, Rockfeller Brothers Fund, European Union Kosovo [përmes programit, i zhvilluar bashkërisht me Heartefact-in nga Beogradi]; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës; Ministria e Kulturës dhe e Sportit e Kantonit të Sarajevës, Kontrapunkt-Shkup, Teatri ODA - Prishtinë.