Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase përfundoi të dielen më 7 nëntor me ecjen përgjatë lokacioneve të kujtesës kolektive të viteve të 90-ta dhe me produksionin zvicran “Jetë e dyfishtë” që u shfaq në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
E kuruar nga artisti Florent Mehmeti, ky audio-rrugëtim është një përvojë e drejtpërdrejtë mbi përjetimet personale e kolektive të jetës gjatë viteve të 90-ta, ndërsa është e bazuar në histori të vërteta që tregohen përmes audio-platformës që shkarkohet në telefonin mobil.
Programi i Showcase përfundoi në Teatrin “Adriana” në Ferizaj me shfaqjen mysafire nga Zvicra “Jetë e dyfishtë” nga Daniela Janjić në regji të Maike Lex. Shfaqja është produksion i kompanisë teatrore Schlachthaus Theater Bern në bashkëpunim me Theater Winkelwiese (Zurich), Qendra Multimedia (Prishtina) dhe Theater Kosztolányi Dezső (Subotica). Në shfaqje luajnë: Patricija Bronić, Dávid Búbos, Boris Kučov dhe Albulena Kryeziu.
Për pesë ditë me rradhë, Showcase-i i këtij viti ka mbledhur në Kosovë mbi 50 drejtues festivalesh, kritikë, artistë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët kanë pasur mundësinë të shohin prodhimtarinë më të re teatrore në Kosovë, të prezantojnë punën e tyre si dhe të flasin për çështje të tjera që kanë të bëjnë me teatrin si dhe bashkëpunimet në të ardhmen.
Kosovo Theatre Showcase organizohet nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit në Gjilan, Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë.