Letër e hapur Ministrisë së Kulturës
5 mijë euro! Jo faleminderit, po ua kthejmë mbrapsht me neveri!
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ditë më parë bëri publike listën preliminare të projekteve të mbështetura kulturore për vitin 2021. Qendrës Multimedia, kjo ministri ia kishte ndarë vetëm 5,000 euro për edicionin e 11 të polip - Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, ndërkohë që projekti ynë i rëndësishëm teatror “Balkan Bordello” nuk ishte në atë listë. Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë.
E shfrytëzuam hapësirën ligjore dhe u ankuam në adresë të MKRS-së, duke shpresuar që gabimin do ta korrigjojnë. Madje duke qenë të vetëdijshëm se ata mund të kapeshin për ‘kritereve ligjore e administrative’, ne në letrën tonë, u dhamë shembuj se ata në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura, nuk kishin qenë strikt në përfilljen e këtyre kritereve ‘ligjore e administrative’.
Gjithsesi, dje MKRS paska publikuar listën finale. Mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”. Kjo na mbushë me mllef e neveri. Por në të njëjtën kohë, na mbushë mend dhe na kthjellë, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi. Ajo Ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deri-djeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike, vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme.
Qendra Multimedia refuzon të bëhet pjesë e një procesi të kompromituar të ndarjes së fondeve publike. Dhe refuzon të ketë të bëj me një ministri të këtillë të kulturës, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjecarë në fushën e teatrit e letërsisë.
Si rrjedhojë, 5,000 të cilat MKRS ia ka ndarë Qendrës Multimedia, po i kthejmë mbrapsht. Mund t’ia japin Manifestës së cilës, në kurriz të skenës kulturore ia kanë ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin, le t’i bëhen 705,000.
#protestojmë
#smanifestojmë