Linguistët që merren me problemin e vdekjes së gjuhëve pajtohen se më shumë se gjysma e gjuhëve në botë është në shtratin e vdekjes, prandaj njerëzimi ndodhet në një pike kthese të historisë, meqenëse është mëse e besueshme që pas dy gjeneratash shumica e gjuhëve në botë do të vdesin. Shkrimtarët që e përdorin gjuhën për të formësuar botë alternative pajtohen se gjuha në të cilën shkruajnë është pikërisht ajo më e mira në të cilën mund t’i shprehin trazimet e veta më të thella. Politikanët mendojnë se gjuha me të cilën komunikojnë për çdo ditë, madje edhe ajo anglishtja për komunikimin zyrtar ndërkombëtar, është sistemi më i mirë i shenjave për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve që i zgjedhin ata. Gjuha e mediave dhe gjuha e rrjeteve sociale po bëhen gjithnjë e më dominuese, ndonjëherë duket se pikërisht ato e krijojnë realitetin tonë; këto gjuhë janë në të vërtetë kode të përbëra nga fotografia, montazhi dhe mesazhi, kështu aspekti visual shndërrohet në një element të rëndësishëm të një gjuhe të tillë. Nga ana tjetër, pandemia COVID – 19 gjatë këtij viti ia ka hequr komunikimit midis njerëzve një dimension të rëndësishëm – kontaktin e gjallë në të cilin ekspresioni jo gjuhësor e kishte një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Me pakësimin e kontakteve të drejtpërdrejta pushteti i kodeve në internet bëhet edhe më gjithpërfshirës dhe ndonjëherë merr një rol të llahtarshëm.
Mirëpo, gjuha që përdoret në letërsi dhe ajo me të cilën shërbehet politika, ose ajo me të cilën shërbehen mediat dhe rrjetet sociale kurrë nuk kanë qenë të njëjta. Më së shpeshti bëhet fjalë për sisteme komunikimi në dukje të ngjashme, por në fund rezulton gjithmonë se ato dallime janë tepër të thella. Posaçërisht është tepër i thellë dallimi midis letërsisë, e cila përpiqet që ta mendojë në mënyrë kritike hic et nunc-in e saj, madje edhe në kushte pandemie, përkundër politikës. Që një letërsi e këtillë të ekzistojë vërtet, ajo ka qenë e detyruar që ta ndërtojë language shift-in e saj, posaçërisht në viset post konfliktuale, siç është rasti me shtetet e krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Letër si kjo, e cila është krijuar në këtë truall që nga vitet nëntëdhjetë e këndej, posaçërisht pas vitit 2000, duke u përpjekur të krijojë një distance në relacion me atë letërsinë që gjatë të tetëdhjetave u bë tepër e afërt me narrativat kryesore politike e militariste, e ka vënë në lëvizje një revolucion të heshtur në discourse. Po t’i qaseshin linguistët, të cilët sot merren me vdekjen e ndryshimin e gjuhëve, këtij problemi, do të mund të vinin re një ndryshim të thellë në përdorimin e gjuhës. Ky zhvillim është luhatur aktualisht, sepse e gjithë kjo ka ndryshuar edhe më shumë me ndërhyrjen radikale të virusit COVID – 19 në situatat e përditshme ligjërimore, të cilat janë të karakterizuara nga masa restriktive – distanca, kontaktet e pakësuara, komunikimi pa kontakt, me ndërmjetësimin online të përjetimeve. Nga ana tjetër, kjo gjuhë e re, e krijuar me rirregullimin e prioriteteve, duke e riformësuar diskursin dhe imagjinatën në hapësirën post konfliktuale, ka sjellë edhe një ndjeshmëri të re të jetës dhe dëshirën për ndërlidhje solidare me autoret dhe autorët, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë dhe në botë. Pikërisht mbi këtë ndjeshmëri ne e ndërtojmë edhe festivalin tonë duke besuar thellësisht te rëndësia e lidhjeve regjionale dhe ndërkombëtare të shkrimtarëve, të cilët i sjellin gjuhët si autentike përkundër përmbytjes nga kode publike shpesh problematike.
Gjuha e politikës në shoqëritë post jugosllave ka mbetur kryesisht e robëruar Brenda matricash të vjetra, pa mundësinë që me validitet t’i përshkruajë jo vetëm problemet, pra ashtu edhe as t’i zgjidhë. Leksiku i kufizuar, përdorimi rigjid i gramatikës me përdorimin e shpeshtuar të formës së komunikimit me gjentilecë, si sinjal i vetëm i agjendës pro europiane, kanë bërë që të shterrojnë mundësitë për zgjidhjen e problemeve serioze politike. Ndryshimi i gjuhës është mënyra e vetme e reformës së sistemit. Të mos flasësh njësoj si dje – Të mos shkruash njësoj si pardje – do të thotë të mos mendosh njësoj si gjatë gjithë dekadave të kaluara. A është i mundshëm një hap i tillë përpara? Kjo pyetje është thelbësore pikërisht për shkrimtarët, ndërsa festivali ynë letrar Polip për plot nëntë vjet ka qenë një nga përgjigjet dinamike ndaj kësaj pyetjeje.
Në këtë vitin e dhjetë jubilar festivali ynë, si edhe e gjithë bota, po përballet me pyetjen shtesë: si të ndryshohet gjuha drejt një komunikimi ndërnjerëzor më të thellë dhe më kuptim plotë në kushtet e pandemisë COVID – 19? Kemi vendosur që t’ia përshtasim formatin e prezentimit situates së re të krijuar: shkrimtarët lokal nga Prishtina dhe të gjithë ata që lehtë mund të vijnë në Prishtinë do të performojnë Live, ndërsa autorët e huaj dhe të gjithë ata që për shkak të pandemisë janë të privuar dhe nuk mund të udhëtojnë, do të përfshihen me tekstet që do të botohen në gazetën e festivalit “Beton International”, pastaj me leximin në përmjet punimeve në video dhe me lidhje të drejtpërdrejta nëpërmjet internetit. Dispozicioni online i të gjitha përmbajtjeve do t’ua mundësojë të interesuarve që ta përcjellin ngjarjen lokale dhe videolidhjet nga pjesë të ndryshme të botës në website-in tonë.
Ndryshimi i mënyrës së prezentimit nuk e ndryshon, ndërkaq, bindjen tonë se për ndryshimin e praktikave diskursive jo demokratike, nacionaliste, raciste dhe të gjitha praktikave diskursive të tjera ideologjike, të thjeshtëzuara, përjashtuese dhe jotolerante, është e nevojshme që thelbësisht të ndryshojë edhe gjuha e politikës, por krahas kësaj duhet punuar me këmbëngulje në atë më të mirën që gjuha e letërsisë mund të na e japë. Gjuhët plaken si edhe njerëzit, vdesin, ndryshojnë ose i gjejnë folësit e rinjë, pse jo edhe shkrimtarët e rinj, të cilët me to do i shprehin frikat dhe shpresat. Për këtë arsye, një nga detyrat e rëndësishme të letërsisë sot dhe këtu është të ushtrojë ndikim për ndryshimin e gjuhës në sferat tjera të jetës shoqërore dhe politike. Në fund ose në fillim në komunikimin midis UNË dhe TI. Ky është vërtet fillimi i këtij revolucioni gjuhësor, sepse ai nuk operon me kategoritë NE dhe JU, siç ndodh pike së pari në politikë. UNË dhe TI ose TI dhe UNË kemi fuqi që ta ndryshojmë gjuhën, ndërsa kush e ndryshon gjuhën, ai tashmë e ka ndryshuar botën e djeshme dhe e ka hapur atë për ardhmërinë tone të përbashkët.
Saša Ilić
Alida Bremer
Jeton Neziraj