Këtë vit mbahet edicioni i 14-të i TESZT - Festivalit Eurorajonal të Teatrit, i cili organizohet në Timisoara të Rumanisë nga Teatri Shtetëror Hungarez Csiky Gergely. Ndër shfaqjet e prodhuara nga teatro në Gjermani, Poloni, Greqi, Bosnjë e Hercegovinë e të tjerë, do të marrë pjesë edhe “Burrnesha” e Qendrës Multimedia.
“Burrnesha” do të jetë pjesë e programit Fluid Views i cili ka për qëllim të trajtojë ccështje që lidhen me personat LGBTIQ+.
Tema e këtij edicioni të festivalit është FLUID dhe kuratorët kanë përzgjedhur këtë temë për të shprehur fuqinë impresionuese të teatrit dhe natyrës njerëzore për tu përshtatur edhe në kushtet më të vështira, duke gjetur forma të reja të shprehjes.
“Burrnesha” do të prezantohet në skenën kryesore të Teatrit Shtetëror Hungarez Csiky Gergely të premten më 26 maj nga ora 20:00.
Regjisor: Erson Zymberi // Autor: Jeton Neziraj // Aktorë: Tringa Hasani, Semira Latifi, Kushtrim Qerimi // Skenografia: Bekim Korça // Muzika: Trimor Dhomi // Koreografia: Gjergj Prevazi // Kostumet: Yllka Brada // Menaxhere e produksionit: Aurela Kadriu // Dritat: Mursel Bekteshi // Mbështetja teknike: Pajtim Krasniqi, Bujar Bekteshi // Asistente e produksionit: Flaka Rrustemi // Video: Ilir Gjocaj