THE HANDKE PROJECT FITUESE E DY ÇMIMEVE NË FESTIVALIN FIAT
Jemi të lumtur t'ju njoftojmë se shfaqja jonë The Handke Project është shpërblyer me dy çmime në edicionin e 38-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ FIAT.
* Shfaqja më e mirë * — The Handke Project —
* Aktori më i mirë * — Arben Bajraktaraj —
Në arsyetimin e jurisë të përbërë nga shkrimtari dhe drejtori i Teatrit të Qytetit të Podgoricës, Stevan Koprivica (kryetar), dhe anëtarët Jelena Miniq, aktore e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, dhe Edin Jasharoviq, producent dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinjë thuhet: “Kjo shfaqje është një përballje e dhimbshme me enigmën shekullore të pozicionimit të krijuesve dhe intelektualëve kundër pushtetit – duke vënë në dukje përgjegjësinë problematike të intelektualëve. Projekti ‘Handke’ është e kundërta e paradigmës. Ansambli i shfaqjes i drejtuar nga Blerta Rrustemi-Neziraj krijoi një shfaqje që është një mozaik skëterrë, që na lë të habitur”
Performuam në Podgoricë më 10 shtator dhe u pranuam ngrohtësisht nga publiku, një pritje të cilën do ta mbajmë në mend shumë gjatë dhe për këtë jemi tejet falenderues, ndaj organizatorëve, jurisë për vlerësimin dhe më e rëndësishmja, ndaj publikut.
The Handke Project është produksion i Qendrës Multimedia në bashkëpunim me Mittelfest & Teatrin e Pergolas (Itali); Teatrin e Dortmundit (Gjermani); Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Scene MESS dhe Teatrin Kombëtar të Sarajevës (Bosnjë e Hercegovinë).