Kosovo Theatre Showcase është nisur si platformë shkëmbimi, promovimi ndërkombëtar e rrjetëzimi për skenën teatrore të Kosovës, në vitin 2018.
Në programet e përvitshme të Kosovo Theatre Showcase, kemi tentuar të reflektojmë jo vetëm prodhimet e fundit e ato që i kemi konsideruar më përfaqësueset për skenën përkatëse teatrore, por edhe kontekstin politik, social e kulturor të të bërit teatër në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi e Greqi - që janë vendet nga të cilat kemi prezantuar shfaqje teatri në edicionet e kaluara të showcase-it. Mënyra se si e kemi kultivuar artistikisht, konceptualisht por edhe në nivel organizativ këtë platformë, ani pse ka qenë sfiduese, ka qenë të kapim pulsin e zhvillimeve estetike, por edhe mënyrën e të bërit teatër.
Për këto tashmë tetë edicione kemi lëvizur në kërkim të hapësirave fizike për të akomoduar programin e showcase-it; në kërkim të shfaqjeve që komunikojnë tema kohërisht relevante; në kërkim të shfaqjeve të prodhuara nga skena e pavarur teatrore; në kërkim të mënyrave për bashkëpunim me teatro publike përkundër sfidave financiare e byrokratike me të cilat ato përballen e që ua bëjnë gati të pamundur bashkëpunimin me skenën e pavarur.
Këto vjet kemi parë teatro të hapen e të mbyllen (më së shumti të mbyllen), buxhete të rritura e të zvogëluara drastikisht, zhvillime trazuese shoqërore të reflektuara në skenë e në programet tona diskursive. Krejt këto, i kemi përqafuar, problematizuar dhe duke i bërë pjesë integrale të programit, i kemi hapur për vëmendje ndërkombëtare për çdo edicion të Kosovo Theatre Showcase. Synimi s’ka qenë dhe nuk ngelet të shfaqim një skenë teatrore të ‘retushuar’, por të atillë çfarë është në të vërtetë, me krejt të mirat dhe të këqijat e edhe me sfidat e problemet, estetike e konceptuale.
Teksa vitin e kaluar u bartëm fizikisht në Shqipëri në atë që e quajtëm edicion special si Kosovo / Albania Theatre Showcase, sivjet do të lëvizim ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në një edicion tjetër special që e kemi quajtur Kosovo / North Macedonia Theatre Showcase. Programi i sivjetëm, ashtu si ai i vitit të kaluar, do të përmbajë shfaqje e tema nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut dhe do të shohë edhe në nivelin e shkëmbimit ndërmjet këtyre vendeve fqinje.
Konteksti shoqëror e politik në Maqedoni të Veriut vazhdon të mbetet kompleks, me shkëmbim tejet të kufizuar ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha atje, atij shqiptar dhe atij maqedonas. Ky shkëmbim, është i reflektuar edhe në teatër, me institucione publike teatrore të ndara për komunitetin shqiptar dhe atë maqedonas.
Në anën tjetër, teksa drama të autorëve maqedonas janë inskenuar nëpër teatrot shqiptare, të paktën me aq sa dijmë ne, teatrot maqedonase asnjëherë nuk kanë inskenuar drama të autorëve shqiptarë. Pra, edhe një herë: teatrot në gjuhën maqedonase, asnjëherë nuk kanë vënë në skenë një dramë të ndonjë autori shqiptar - pavarësisht se në Maqedon të Veriuti rreth tridhjetë përqind e popullsisë janë shqiptarë dhe pavarësisht se Maqedonia e Veriut kufizohet me Shqipërinë dhe Kosovën.
Por poashtu teksa shkëmbimi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në një nivel është i kufizuar, ekziston poashtu një shkëmbim i kufizuar brenda për brenda Maqedonisë së Veriut ndërmjet komuniteteve që jetojnë dhe krijojnë atje. Hapja e showcase-in ndaj skenës teatrore të Maqedonisë së Veriut sivjet, më shumë se sinjal i përgjigjeve, është edhe një kërkim i radhës për ne. Pra, ne jemi kurreshtarë të mësojmë për këtë kontekst shoqëror e teatror atje. Të mësojmë se si e çka e bën të rrahë pulsin e teatrit atje, cilat janë trendet estetike e tematike të teatrit në Maqedoni të Veriuti, cilat janë parakushtet që e kanë krijuar këtë terren të të bërit teatër atje dhe si duken në praktikë këto dinamika shoqërore.
Sot vazhdojmë të jemi nomadë, pak për arsye teknike e më shumë për arsye konceptuale e vlerore - sepse konsiderojmë që prania fizike nëpër vende e kontekste të ndryshme ofron hapësirë më kuptimplotë për mësim e njohje dhe ajo bëhet e domosdoshme sidomos në një rajon si i yni, ku jemi kaq afër e largësia e ndasia na propagandohen çdo ditë. Në këtë frymë, vjet u bartëm në Shqipëri e sivjet për një pjesë të programit do të bartemi në Maqedoninë e Veriut.
Kosovo / North Macedonia Theatre Showcase fillon më 28 tetor 2025 në Kosovë (Prizren, Gjakovë, Prishtinë e Ferizaj), ndërsa programi në Maqedoninë e Veriut (Shkup) vazhdon nga data 30 tetor deri më 1 nëntor.
Në edicionin e sivjetëm do të prezantojmë shfaqje të skenave publike e të pavarura të të dy vendeve, të shoqëruara me një program diskursiv që eksploron çështje relevante shoqërore e teatrore për të dy kontekstet (Kosovë e Maqedoni e Veriut) por edhe të botës si dhe një program edukativ.