Jemi të lumtur të ju njoftojmë se shfaqja jonë PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre do të prezantohet në Sarajevo Theatre Showcase 2025, më 14 shtator, në Teatrin Kombëtar të Sarajevës.
Premiera e shfaqjes PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre u dha më 23 maj 2025, në Teatrin ODA, në Prishtinë. Pikënisja e kësaj shfaqjeje është një histori krimi, e ndodhur 25 vjet më parë, në Prishtinën e sapo çliruar, e cila atëherë administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Rexhep Luci, arkitekt dhe drejtues i planifikimit hapësinor në Prishtinë, bënte përpjekje për të vendosur kontroll urbanistik. Ai ishte kërcënuar disa herë me jetë nga njerëz të nëntokës dhe, më 11 shtator të vitit 2000, u vra nga persona të panjohur, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.
Duke u bazuar në këtë tragjedi, PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre flet për çështjen e ndërtimeve të paligjshme në Prishtinë dhe në Kosovë, e cila ka marrë përmasa katastrofike dhe na fton të rimendojmë marrëdhënien tonë me qytetin dhe përgjegjësinë tonë për të, në një kohë kur ky cikël shkatërrues është institucionalizuar dhe normalizuar.
E shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, shfaqja është prodhuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë. Ajo përfshin informacione faktike dhe të dhëna mbi ndërtimet e paligjshme, dëmet mjedisore dhe ndikimin në shëndetin publik në Prishtinën e pasluftës.
Në një artikull për Kosovo2.0, Agron Demi shkruan: “Blerta Neziraj, regjisorja e shfaqjes, udhëheq produksionin e ngarkuar politikisht, duke i udhëhequr aktorët në një proces që është gjysmë dramë, gjysmë investigim publik. Trupa jo vetëm që aktron; ata janë dëshmitarë. Flasin, jo vetëm si interpretues, por si qytetarë. Në momentet e fundit, një aktor del nga roli dhe thotë: “Rexhep Luci ishte diga. Kur e vranë, nisi vërshimi”. Dhe, shton ai, vërshimi ende po vazhdon. Kjo është ajo çka e bën “Prishtina: Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” më shumë se art. Është një autopsi. E një njeriu, e një qyteti dhe e një sistemi. Nuk pyet kush e tërhoqi këmbëzën. Pyet kush përfitoi.”
Ndërkohë, në një intervistë për shfaqjen, Jeton Neziraj ka thënë: ”Shfaqja funksionon në dy nivele: si një lloj prerjeje e Prishtinës në periudhën e pasluftës dhe kaosit të asaj kohe, por mbi të gjitha, flet për Prishtinën e sotme — për pasojat e atij kaosi, për vendimet e marra atëherë dhe për pasojat e vrasjes së Rexhep Lucit.
Aktorët në shfaqje thonë se ai ishte një lloj dige që, kur u hoq, nisi vërshimi — dhe ajo që shohim sot në Prishtinë e në Kosovë është pikërisht pasojë e atij vërshimi.”
Sarajevo Theatre Showcase është një ngjarje vjetore që bashkon profesionistë dhe talentët rajonal të teatrit me vendimmarrës ndërkombëtarë, ndërsa promovon praktika të qëndrueshme në prodhimin teatror. Ajo gjithashtu ofron mundësi zhvillimi profesional - të tilla si rezidenca dhe punëtori - dhe ofron mbështetje të synuar për gratë, profesionistët e rinj dhe krijuesit e nën-përfaqësuar të teatrit.
Sarajevo Theatre Showcase do të zhvillohet gjatë javës së dytë të shtatorit (12-14), duke prezantuar shfaqje teatrale nga e gjithë Evropa Juglindore. Përveç nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, programi i këtij viti do të përfshijë edhe shfaqje nga Sllovenia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia.
Kasti i aktorëve të shfaqjes PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre përbëhet nga Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj.