Në Malmö të Suedisë ka filluar realizimi i projektit ndërkombëtar teatror “UNRECOGNIZED”, një bashkëprodhim që lidh Ornproduktion nga Stokholmi, Qendrën Multimedia nga Prishtina dhe Teatrin Shqiptar Shkup.
Nga Kosova, pjesëmarrës në projekt është dramaturgu Jeton Neziraj nga Qendra Multimedia, ndërsa nga Maqedonia e Veriut pjesë e produksionit është aktori Shkëlqim Islami nga Teatri Shqiptar në Shkup. Po ashtu, në projekt marrin pjesë edhe disa partnerë të rëndësishëm nga skena ndërkombëtare, si: Royal District Theatre nga Gjeorgjia, Kyiv Academic Theatre on Pechersk nga Ukraina, si dhe teatrot suedeze Dramaten – The Royal Dramatic Theatre, Malmö City Theatre dhe Göteborgs Stadsteater.
“UNRECOGNIZED” adreson çështje aktuale dhe të ndjeshme, duke u fokusuar te kompleksiteti i grupeve të pakicave të panjohura dhe shpesh të padukshme, si dhe te realiteti i territoreve të paidentifikuara ose të okupuara në Evropë. Bazuar në përvojat e përbashkëta të partnerëve, projekti synon të krijojë një produksion teatror ndërkulturor që eksploron thellësisht identitetin, zhvendosjen dhe sovranitetin.
Përmes bashkëpunimit midis artistëve, studiuesve dhe komuniteteve lokale, projekti synon të nxisë dialogun dhe të forcojë mirëkuptimin çështjet me ndjeshmëri politike. Premiera e shfaqjes pritet të mbahet në Teatrin Shqiptar Shkup në fillim të tetorit.
Ky bashkëpunim synon të sjellë një shkëmbim të pasur artistik dhe kulturor, duke përforcuar dimensionin ndërkulturor të produksionit dhe duke nxitur dialogun mes komuniteteve dhe artistëve nga vende të ndryshme.