Pas premierës botërore në Kosovë, “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” do të shfaqet për herë të parë në Afrikën e Jugut. Ky bashkëprodhim historik është shfaqja e parë nga Kosova që do të zhvillojë një turne dyjavor në teatrin afrikan.
Produksioni vjen si rezultat i një bashkëpunimi të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Afrikës së Jugut. Shfaqja do të prezantohet në Market Theatre nga 9 deri më 19 prill 2026, ndërsa nata e hapjes është planifikuar për 10 prill 2026.
Shfaqja trajton temën e pajtimit, duke reflektuar mbi Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut dhe procesin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
Kritikët e kanë cilësuar si “thellësisht komplekse” (Theatre Times) dhe “shfaqje nga zemra” (SEEstage), ndërsa dramaturgu i njohur Mark Ravenhill e përshkroi si një shfaqje prekëse dhe që nxit mendim.
Shfaqja është shkruar dhe drejtuar nga dy nga krijuesit kryesorë teatror të Kosovës, Jeton Neziraj dhe Blerta Neziraj, duke punuar në bashkëpunim me Greg Homann, drejtorin artistik të Market Theatre. Shfaqja përfshin një kast aktorësh nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Afrika e Jugut.
Shfaqja do të prezantohet në Afrikën e Jugut për vetëm 10 performanca në Market Theatre. Pas kësaj, produksioni do të nisë një turne të gjerë evropian, duke vizituar vende si Norvegjia, Italia, Gjermania dhe Portugalia, me data të tjera të planifikuara, përfshirë shfaqje në Théâtre de la Ville në Paris në maj 2027 dhe një sezon në teatrin ndërkombëtarisht të njohur La MaMa Experimental Theatre Club në New York.
Për shfaqjen:
Në vitin 1990, me luftën në horizont, një grup ish-të burgosurish politikë, studentë dhe intelektualë nga Kosova nisën lëvizjen historike për pajtimin e gjaqeve. Deri në atë kohë, qindra familje në Kosovë ndodheshin në cikle armiqësie dhe gjakmarrjeje. Cikli i hakmarrjes kishte marrë formën e një rrethi vicioz, ku armiqësitë trashëgoheshin brez pas brezi dhe numri i vrasjeve mes dy palëve arrinte nganjëherë deri në tridhjetë. Ajo që nisi si një lëvizje e vogël pajtimi, u shndërrua shpejt në një forum kombëtar publik, ku nëna, baballarë dhe anëtarë familjesh ngjiteshin në skenë përpara një audience dhe falnin gjakun e të dashurve të tyre familjes së vrasësit. U mbajtën shumë “seanca” publike dhe qindra familje u pajtuan gjatë këtij procesi. Në total, u zgjidhën 1,275 gjakmarrje dhe konflikte. Mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në seancën e fundit publike të pajtimit.
Në anën tjetër të globit, në vitin 1995 qeveria e Afrikës së Jugut inicioi Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, me qëllim shërimin e vendit dhe pajtimin e popullit, duke krijuar një hapësirë për t’u përballur me të vërtetën e krimeve të kryera gjatë aparteidit. Viktimat dhe kryerësit e krimeve vendoseshin përballë njëri-tjetrit, në një “gjyq” ku të vërteta të tmerrshme nga periudhat e dhunës, shtypjes dhe persekutimit bëheshin publike.
Këto dy ngjarje të mëdha shoqërore dhe historike, shumë të ndryshme por në shumë mënyra edhe të ngjashme, kanë në thelb faljen – si gurthemel i shërimit dhe kohezionit shoqëror, emancipimit dhe pajtimit.
***
Ekipi artistik
Autor: Jeton Neziraj (Kosovë) | Dramaturg: Greg Homann (Afrikë e Jugut) | Regjia: Blerta Neziraj (Kosovë)
Skenografia: Theun Mosk / Ruimtetijd (Holandë) | Kompozitore: Bongile Gorata Lecoge-Zulu (Afrikë e Jugut) | Koreograf: Jochen Roller (Gjermani) | Kostumografi: Blagoj Micevski (Maqedoni e Veriut)
Ekipi i aktorëve
Gontse Ntshegang (Afrikë e Jugut), Amernis Nokshiqi (Maqedoni e Veriut), Ilire Vinca (Kosovë), Kensiwe Tshabalala (Afrikë e Jugut), Arben Bajraktaraj (Kosovë/Francë), Les Made (Afrikë e Jugut), Bongile Gorata Lecoge-Zulu (Afrikë e Jugut).
***
Në koproduksion me:
Qendra Multimedia (Prishtinë, Kosovë), The Market Theatre (Johannesburg, Afrikë e Jugut), São Luiz Teatro Municipal (Lisbonë, Portugali), Teatro Della Pergola (Firencë, Itali), Theater Dortmund (Dortmund, Gjermani), Black Box Teater (Oslo, Norway), Mittelfest (Cividale del Friuli – Italy), Théâtre de la Ville (Paris, Francë).
Në bashkëpunim me:
Ruimtetijd (Holandë), La MaMa (New York, USA), Gjilan City Theatre (Gjilan, Kosovo), Sens Interdits Festival (Lyon, France).
Për më shumë informacion rreth shfaqjes dhe biletave, ju lutemi vizitoni Market Theatre webpage.