Greg Homann, dramaturg i shfaqjes “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” dhe Drejtor Artistik i The Market Theatre—ku produksioni do të shfaqet nga 9 deri më 19 prill—flet në një intervistë për programin radiofonik jugafrikan RSG FM mbi bashkëpunimin e tij, përvojën në Kosovë dhe disa aspekte më të thella të shfaqjes.
Duke reflektuar mbi formën dhe tonin e shfaqjes, ai shpjegon:
“Është një shfaqje me humor, megjithatë trajton tema shumë, shumë serioze, kështu që ka një lloj qasjeje sfiduese. Ashtu si mund të prisni nga një dramë dokumentare bazuar në dëshmi të TRC-së dhe gjakmarrjeve, fillon me aktorët në skenë duke treguar historinë si karaktere, për këto momente historike, por më pas ndryshon dhe bëhet një lloj shfaqjeje brenda shfaqjes.”
Ai thekson më tej anën vizuale dhe stilistike të produksionit:
“Shfaqja ngjall një ndjesi të stilit kabare dhe vaudeville, është vizualisht e bukur, dhe ka dy transmetime të drejtpërdrejta të kamerave në skenë, që projektojnë imazhe të aktorëve. Gjithashtu përfshin disa materiale filmike nga periudhat që po flasim. Është një produksion i pasur dhe kompleks që zgjat rreth 80 minuta, dhe është shumë tërheqës, prekës dhe me humor mbi çështje shumë, shumë serioze kombëtare.”
Për sa i përket përvojës së tij në Kosovë dhe bashkëpunimit me ekipin, ai shton:
“Ishte një përvojë jashtëzakonisht e suksesshme. Bashkëpunimi ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm, plot respekt për punën, dhe përpjekje për të kuptuar kulturën e njëri-tjetrit; një ndjesi bashkëpunimi u shfaq shumë shpejt, dhe Blerta Neziraj, e cila e drejtoi shfaqjen, ndihmoi në këtë aspekt. Ishte një përvojë shumë produktive dhe e pasur, mendoj, për aktorët dhe për shkëmbimin kulturor në një mënyrë shumë të sinqertë.”
Për më shumë, ndiqni intervistën e plotë, ku pyetjet janë në gjuhën Afrikaans dhe përgjigjet jepen në anglisht.