Përderisa Kosova po hynte në fazën kulmore të fushatës parazgjedhore, për zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, Forum-Teatri si projekt i Qendrës Multimediale në Prishtinë nisi projektin e sensibilizimit të moshave të reja për rëndësinë e daljes në zgjedhje, pra kryesisht me 18-vjeçarët në disa shkolla të mesme kosovare; si në Kaçanik e Han të Elezit, Ferizaj e Shtimje, Gjilan e Viti, Lipjan, Fushë Kosovë, Kastriot, Prishtinë dhe Vushtrri.... Forum-Teatri ishte i ndërthurur me debatin përmes tre shfaqjeve/komedive, “Komuna”; “Vëllëzërit Shishmaku” dhe “Vota për dajën Shaban” me aktorët Fatmir Spahiu, Arben Zharku dhe Herodita Ramshaj
Derisa gjatë fushatës binin në sy dy momente që nuk ishin karakteristike për fushatën e vitit 2007. E para është rritja e cilësisë së performimit të kandidatëve për kryetar komunash, sidomos atyre për Prishtinën e cila tërheq prapa vetes edhe kosto shumëfish më të lartë se më 2007. Pra së pari herë bartet edhe në Kosovë modeli i antifushatës, kur një kandidat ngritjen e vet e modelon pikërisht në rënien e popullaritetit të rivalit pararendës. Por, kjo, duke qenë se Kosova nuk ka elektorat por ka anëtarësi (militantët partiakë) vetëm këta të fundit janë të interesuar për zgjedhjet vendore të nëntorit e gjithqysh pushteti do të vendoset!? Prandaj antifushata duket se nuk “dhezë” në Kosovë pikërisht nga ky fakt. Instituti Kosovar për Media dhe Politika në Prishtinë ka synuar të kuptojë vullnetin e qytetarëve prishtinas nëse do të dalin ose jo në zgjedhje. Në hulumtimin e ndarë nga i mësipërmi, i realizuar midis 22 e 25 tetorit, 57.6 për qind e respodentëve janë deklaruar se nuk do të dalin në zgjedhje, ndërsa vetëm 32.7 për qind e tyre kanë konfirmuar se do të votojnë. Këmbënguljen për të mos marrë pjesë në ditën e votimit të anketuarit e kanë arsyetuar me zhgënjimin me politikanët, gjuhën e ashpër politike në fushatë dhe premtimet joreale që japin kandidatët.
Kurse momenti i dytë është abuzimi me qytetarët përmes premtimeve “në hava” për nevoja të propagandës partiake.
Sëkëndejmi vërehet se interesimi për politikën përgjithësisht dhe për zgjedhjet vendore nder qytetarët e Kosovës (edhe tek të rinjtë që votojnë për herë të parë) derisa më 2007 ishte rreth 40%, më 2009, së paku atje ku Forum-Teatri debatoi me nxënësit del se sivjet mund të shënojë një rritje.
Duke qenë se qytetarët e kanë humbur besimin se me votën e tyre mund të ndërrohet diçka, vota e lirë pothuajse e ka humbur kuptimin në Kosovë, ende pa u etabluar, të rinjve që votojnë për herë të parë megjithatë shprehin një interesim që të votojnë, sepse kjo u duket fillimisht festë e moshës dhe duan që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Vota në demokracitë liberale është një e drejtë dhe jepet me koncesion, duke përfituar nga programet reformatore, në taksa, shërbime më cilësore, punësim dhe siguri. Fundja, sipas sistemit zgjedhor kosovar, legjitimiteti i zgjedhjeve është i diskutueshëm ngase nuk kërkohet vota e 51 përqindëshit, pra mjafton të dalin në zgjedhje madje edhe 20 % e trupit elektoral, sa për ta siguruar njëfarë legaliteti, ndërsa dalja e 30 apo 40 % e elektoratit natyrisht se i përafrohet një standardi europian. Nga një studim i Leon Malazogut, del se ideja e shtet-ndërtimit i ka bërë njerëzit të dalin masovikisht në zgjedhje p.sh. në vitin 2000 nga trupi votues prej 913. 179 kanë dalë në zgjedhje 721. 260 kurse nuk kanë dalë vetëm 191.919, kurse në prag të pavarësisë më 2007 nga trupi votues prej 1.567.690 kanë dalë në zgjedhje vetëm 628.630, kurse nuk kanë dalë 282. 060. Nëse ky trend i mosdaljes ka shënuar rritje, tashti kur Kosova është e pavarur, kjo d.m.th. se qytetarët nuk e perceptojnë tutje pushtetin si “të tyrin” dhe nuk duan të marrin pjesë në sigurimin e një pushtet me legjitimitet horizontal dhe vertikal. Është interesant fakti se, iniciativa e një OJQ-je kosovare për ta caktuar pragun e fundëm të daljes në zgjedhje, nën të cilin zgjedhjet do të shpalleshin jolegjitime, është pranuar vetëm nga një parti jashtë parlamentare dhe ky fakt dëshmon se partitë e mëdha janë në paranojë se po e humbin votuesin e tyre. Epoka e pasluftës së ftohtë e ka gjetur Evropën Juglindore të papërgatitur për të bërë politika globale, prandaj shumë nga këto vende ende e ushqejnë kulturën e sekretit (jotransparencën) dhe autoritarizmin (jollogaridhënien) për politika nacionale, në kohën kur nuk ka më të tilla, sepse që nga ngrohja globale (emetimi i gazrave) e deri të kriza financiare globale janë politika ndërkombëtare, që thyhen edhe për shpinën e qytetarit kosovar, pra qe kanë të bëjnë edhe me zgjedhjet lokale. Së këndejmi ka ekspertë që mendojnë se nuk ka më politikë nacionale, sepse ajo po bëhet ndërkombëtare, ajo ndikon në votat, festat dhe pushimet tona... Por tashmë druaj se kjo klasë politike mund të edukohet (emancipohet) përmes zërit kritik të shoqërisë, intelektualëve dhe mediave, porse shoqëria civile (nëse ka mbet diç nga ajo) dhe mediat (e kanë mbet pak media të lira) duhet ta zhvendosin luftën ne edukimin (emancipimin) e publikut, (gjë që mëtoi ta bënte edhe Qendra Multimedia përmes Forum-Teatrit) përkatësisht elektoratit. Ky mentalitet nuk ndërron përderisa ajo që ne e cilësojmë si bashkësi ndërkombëtare në Kosovë ka nevojë për vasalitetin e klasës politike për ta kamufluar më mirë sundimin e vet të përmasave hegjemone, pa telashe dhe duke përdorë dy standarde për sa i përket të drejtave civile, demokracisë dhe vetë sistemit politik. Ndërkombëtarët e kanë një marrëveshje të heshtur me klasën politike aktuale në Kosovë “ju neve stabilitet dhe mbrojtje për serbët kosovarë – ne ju pushtet të pakufishëm”. Në anën tjetër, nëse kandidatët për kryetar komunash mbahen pengje të ideologjive partiake dhe provincializmit, kjo ngjall mosbesimin e qytetarëve dhe pikërisht ideologjitë e forta e punët e flashkëta e kanë bërë qytetarin që “ta harrojë” me qëllim ditën e zgjedhjeve, duke mëtuar që t’i ndëshkojë. Dihet se sipas ligjit mbi zgjedhjen e Kryetarit të Komunës, ai do të jetë jo vetëm kryetar asambleje por “sherif” i shehrit, pasi që edhe komandantin e policisë e propozon vet, kjo shpie në logjikën se atyre do t’u imponohet një polic nga kampi i të fuqishmëve të Kosovës, që janë dëshmuar se janë nga ajo anë e ligjit, atëherë cila mund të jetë shkalla e sigurisë së qytetarëve të Kosovës, pra kujt po ia besojnë lirinë ata?
Mosdalja masive në zgjedhje nuk është “fatkeqësi” vetëm për Kosovën, ajo po ndodh në kohën e internetin dhe spektaklit televiziv në tërë Europën. Por dalja e vetëm një 20-30 përqindëshi në votime e derivon një pushtet me legjitimitet të brishtë, madje të kontestueshëm lehtë, i cili krijon imunitet nga kritikat e 60% që nuk voton, sepse në një farë dore abstenuesit nuk kanë të drejtë morale ta kritikojnë qeverisjen, derisa mosdalja në zgjedhje është pjesëmarrje në to, sepse pakicën e shndërron në shumicë.
Me këtë grup-moshë u debatua edhe për thirrjet e disa grupeve politike për bojkot (sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, por veçanërisht jashtë Prishtinës, pos deri në një masë në Kaçanik) dukej se këto thirrje nuk kishin jehonë të madhe. U debatua pra, edhe për atë se a cenon mosdalja në votime kohezionin kombëtar, nëse votimi nuk është obligim ligjor por qytetar, atëherë cila është e drejta e lëvizjeve anti-votim, dhe cilët janë kufijtë e padëgjueshmërisë qytetare?
Shumica e të rinjve të kësaj moshe thonë se do të votojnë pa u ndikuar nga familja, babai apo farefisi, por me vullnetin dhe bindjen e tyre politike (pos disa të rinj në Han të Elezit), kurse vlen të theksohet se këta të rinj mendojnë se fushata parazgjedhore prej një muaji është tepër e gjatë, shkakton humbje energjie dhe kohe dhe bëhet e mërzitshme. Në Prishtinë dhe Kastriot ta zëmë, disa nga të rinjtë mendojnë se fushata parazgjedhore duhet të zgjasë dy javë, ndërkaq që, shumica e debatuesve të kësaj moshe e shohin të paarsyeshme koston kaq të lartë të kësaj fushate dhe, sipas tyre do të ishte më me vend sikur ato para të investoheshin në ndonjë projekt kulturor ose sportiv për rininë. Përndryshe, në Shtimje ankohen se komuna dhe kandidatët aktualë për Kryetar të kësaj Komune nuk kanë ofruar asgjë joshëse për rininë. Derisa të rinjtë e Prishtinës kërkojnë më shumë hapësira të gjelbra si dhe rrënimin e mbindërtimeve ilegale.
Halil Matoshi, analist i pavarur i zgjedhjeve, moderator në Forum-Teatër