Në fund të aktivitetit, atmosfera u mbush me buzëqeshje të relaksuara—si ajo ndjesi pas një bisede empatike, kur njeriu ndihet vërtet i dëgjuar.
Ne mblodhëm përshtypje të shkruara me dorë si nga të miturit ashtu edhe nga stafi, të cilët vlerësuan vazhdimisht iniciativën dhe ndikimin e saj, duke na inkurajuar të rikthehemi sërish.
Ja disa nga përshtypjet që na mbetën në mendje:
“Kam mendu se aktorët janë mendjemëdhenj, por ato minuta bisede me ta ma ndryshuan mendimin—diçka që do të jetë valid për gjithë jetën time.”
E. SH., Banor i Qendrës Korrektuese
“Ne sot kaluam shumë mirë. Keni sjellë një energji pozitive, ashtu si artistët që e kanë shpirtin e bardhë, në një ambient shumë të ndjeshëm. Shpresojmë të takohemi përsëri. Keni bërë një punë të shkëlqyer, që vërtet meriton vlerësim të jashtëzakonshëm.”
Vjollca, Punëtore Sociale
“Gjatë bisedës sime me një nga aktoret, më bëri përshtypje zemërgjerësia dhe konfidencialiteti i aktores. Po ashtu më ngeli në mendje një ngjarje nga jeta e saj, kur gjatë fatkeqsive ndodhi papritams e mira. Një varg nga poezia e Migjenit mbeti po ashtu me mua, ku ai thotë diçka si: “Ndërgjegjja e mundi hekurin/hekurat” – Banor i Qendrës Korrektuese
Një nga poezitë kushtuar një banori ishte poezia stoike “If—” e Rudyard Kiplingut, disa vargje të së cilës thonë:
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh,
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Konsultimet Poetike janë takime një-me-një mes një pjesëmarrësi dhe një artisti. Çdo konsultim nis me një bisedë të hapur dhe të lirë dhe përfundon me leximin e një “recete poetike” të personalizuar për pjesëmarrësin përballë, nga të ashtuquajturit “doktorë të shpirtit”.
Që nga fillimi i këtij aktiviteti, Konsultimet Poetike janë përhapur në më shumë se 18 vende në mbarë botën, duke bashkuar artistë nga anë të ndryshme të globit.
Deri më sot, mbi 250 artistë nga 28 kombësi të ndryshme i janë bashkuar ansamblit të njohur si Troupe de l’Imaginaire. Që nga pranvera e vitit 2020, më shumë se 29,000 njerëz kanë marrë pjesë në një Konsultim Poetik—secili një takim unik dhe personal mes një artisti dhe një pjesëmarrësi.
Për të shënuar Natën e Solidaritetit 2026 — e cila u zhvillua të njëjtën ditë në Théâtre de la Ville në Paris, Mercado do Rato në Lisbonë, në një librari dhe një shtëpi pleqsh në Sibiu, Rumani, dhe Teatro Stabile di Catania në Itali — Qendra Multimedia solli Konsultimet Poetike në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan.
Këtë vit, sesionet në Kosovë u udhëhoqën nga aktorët Albulena Kryeziu Bokshi, Aurita Agushi, Adrian Morina dhe Armend Smajli, të cilët u angazhuan në biseda të hapura dhe kuptimplota me të miturit që qëndrojnë në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan.
Të pajisur me librin e poezive—një koleksion me mbi 100 poezi—aktorët, të veshur me mantela të bardhë, zunë vend në hapësirat ku të rinjtë (të moshës 17–23 vjeç) zakonisht kalojnë kohën duke luajtur shah dhe duke u marrë me aktivitete të tjera rekreative, ndërsa prisnin fillimin e bisedave.
Në muret e dhomës së ndenjës së Qendrës Korrektuese-Edukuese—një hapësirë e përbashkët—ishin shkruar thënie motivuese, si: “Nëse ndjen dhimbje, je gjallë; nëse ndjen dhimbjen e tjetrit, je njeri.”