NËN HIJEN E NJË PEME U ULA DHE QAVA

Qendra Multimedia – Prishtinë, The Market Theatre – Johanesburg, São Luiz Teatro Municipal – Lisbonë, Teatro Della Pergola – Firence, Theater Dortmund – Dortmund, Black Box teater – Osllo, Mittelfest – Cividale del Friuli,  Théâtre de la Ville – Paris

PREZANTOJNË

NËN HIJEN E NJË PEME U ULA DHE QAVA

PREMEIRA: 17 & 18 tetor, Teatri i Qytetit -Gjilan, Kosovë, 8pm

Performuar në anglisht, shqip dhe zulu

Për shfaqjen:

Në vitin 1990, me luftën në horizont, një grup ish-të burgosurish politikë, studentë dhe intelektualë nga Kosova nisën lëvizjen historike për pajtimin e gjaqeve. Deri në atë kohë, qindra familje në Kosovë ndodheshin në cikle armiqësie dhe gjakmarrjeje. Cikli i hakmarrjes kishte marrë formën e një rrethi vicioz, ku armiqësitë trashëgoheshin brez pas brezi dhe numri i vrasjeve mes dy palëve arrinte nganjëherë deri në tridhjetë. Ajo që nisi si një lëvizje e vogël pajtimi, u shndërrua shpejt në një forum kombëtar publik, ku nëna, baballarë dhe anëtarë familjesh ngjiteshin në skenë përpara një audience dhe falnin gjakun e të dashurve të tyre familjes së vrasësit. U mbajtën shumë “seanca” publike dhe qindra familje u pajtuan gjatë këtij procesi. Në total, u zgjidhën 1,275 gjakmarrje dhe konflikte. Mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në seancën e fundit publike të pajtimit.

Në anën tjetër të globit, në vitin 1995 qeveria e Afrikës së Jugut inicioi Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, me qëllim shërimin e vendit dhe pajtimin e popullit, duke krijuar një hapësirë për t’u përballur me të vërtetën e krimeve të kryera gjatë aparteidit. Viktimat dhe kryerësit e krimeve vendoseshin përballë njëri-tjetrit, në një “gjyq” ku të vërteta të tmerrshme nga periudhat e dhunës, shtypjes dhe persekutimit bëheshin publike.

Këto dy ngjarje të mëdha shoqërore dhe historike, shumë të ndryshme por në shumë mënyra edhe të ngjashme, kanë në thelb faljen – si gurthemel i shërimit dhe kohezionit shoqëror, emancipimit dhe pajtimit.

Përmes arkivave dhe dëshmive të reja, një grup artistesh/ësh nga Evropa dhe Afrika reflektojnë mbi mësimet që Fushata e Pajtimit të Gjakmarrjeve e vitit 1990 në Kosovë dhe Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i vitit 1995 në Afrikën e Jugut na ofrojnë sot – mësime që mund të na shërbejnë në një botë të zhytur sërish në dhunë e konflikt. Nëse 30 vite më parë besohej se e vërteta mund të na çlironte, çfarë na çliron në epokën e sotme të post-së-vërtetës? Kur falim, a falim pa kushte?

Pas premierës botërore në Kosovë, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” do të prezantohet në “Kosovo/North Macedonia Theatre Showcase” që mbahet nga 28 tetori deri më 1 nëntor, si pjesë e turneut ballkanik. Në prill 2026 ajo do të niset në një turne evropian, në qershor 2026 në Afrikën e Jugut, dhe në mars 2027 do të shfaqet në New York.

“Si The Market Theatre, ne tërhiqemi nga histori që ballafaqojnë me të vërteta të pakëndshme me nuancë dhe imagjinatë. Nën hijen e një peme u ula dhe qava rezonon me angazhimin tonë për të mbajtur hapësirë për kujtesën, drejtësinë dhe shërimin. Ky bashkëpunim ofron një mundësi të fuqishme për të eksploruar pajtimin jo si një destinacion të fiksuar, por si një udhëtim thellësisht njerëzor dhe shpesh të dhimbshëm, i formuar nga kush ka të drejtë të flasë, kush dëgjon, dhe çfarë mbahet mend.” – Greg Homann, Drejtor Artistik i Market Theatre Foundation, Johannesburg

Regjinë e shfaqjes do ta bëjë Blerta Neziraj, prodhimet e së cilës me Qendra Multimedia kanë qenë në turne ndërkombëtare në qytete si Lozanë, Milano, Vjenë, Firence, Hamburg, Lion, Sarajevë, Bernë, Paris dhe New York. Si alumna e Lincoln Center Theatre Directors Lab, ajo ka krijuar shfaqje në Kosovë dhe ndërkombëtarisht. Ajo ka marrë çmime të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, duke përfshirë “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar Kontrapunkt (Poloni, 2022) dhe “Shfaqja e mirë” në FIAT (Mali i Zi, 2023). The Guardian e ka përshkruar si “një nga regjisoret kryesore të vendit”, ndërsa The Stage ka thënë për shfaqjet e saj se janë “pa kompromis… të domosdoshme… guximtare dhe të fuqishme”.

Teksti është shkruar nga Jeton Neziraj, autor i mbi 20 dramave. Dramat e tij janë shpërblyer dhe shfaqur në festivale e teatro në gjithë Evropën dhe SHBA. Revista gjermane Theater der Zeit e ka përshkruar si “Kafkën e Ballkanit”.

Dramaturg i shfaqjes do të jetë Greg Homann, aktualisht Drejtor Artistik i Market Theatre Foundation në Johannesburg, Afrikë e Jugut. Ai është figure udhëheqëse e teatrit afrikan-jugor për tani më shumë se një dekadë. Puna e tij e rëndësishme si regjisor, dramaturg dhe autor përfshin teatër imagjinati dhe të vlerësuar me shumë çmime.

Na kontaktoni në [email protected], nëse doni të dini detajet e turneut për vitet 2025, 2026 dhe 2027.

Në bashkëpunim me:

Teatrin e Qytetit – Gjilan, Ruimtetijd  – Amsterdam, La MaMa  – New York, Sens Interdits Festival – Lyon

Në bashkëprodhim me Goethe Institut | Mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, The Sigrid Rausing Trust, Rockefeller Brothers Fund