TË GJASHTËT KUNDËR TURQISË

Për shfaqjen:

Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin se ata gjoja përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016.

Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje nga një njeri i vetëm. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.

E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, “Të gjashtët kundër Turqisë”, përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?

“Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufinjve. Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë dhe pritet që shfaqja të prodhojë edhe më shumë polemika.

“Të gjashtët kundër Turqisë” është shkruar nga Jeton Neziraj, një nga dramaturgët kosovarë më të njohur ndërkombëtarisht. Dikur Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Neziraj ka shkruar mbi 20 drama dhe punët e tij janë luajtur në festivale të teatrit nëpër Evropë dhe në SHBA. Revista gjermane e teatrit Theater der Zeit e ka përshkruar atë si ‘Kafka i Ballkanit’.

Blerta Neziraj është regjisore e shfaqjes. Prodhimet e saj për Qendrën Multimedia kanë udhëtuar ndërkombëtarisht në vende si Lozanë, Milan, Vjenë, Hamburg, Lion, Bern dhe Nju Jork. Para disa muajsh këtë vit, ajo ka bërë regjinë e një varianti të ri të Balkan Bordellos në Uppsala, Suedi. Ajo është alumna e Lincoln Center Theatre Directors Lab. Çmimet e saj përfshijnë “Regjisorja më e mire” në Kosovë në vitin 2020.

Pas premierës në shtëpinë e produksionit, Teatri ODA në Prishtinë, “Të gjashtët kundër Turqisë” do të jetë pjesë e Kosovo Albania Theatre Showcase më 30 tetor në Tiranë.

Në një fjalë për produksionin, Jeton Neziraj ka thënë:

“Atyre ditëve, kur në televizionet tona u dhanë pamjet e 6 shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit në Kosovë. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë,  të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin. Kjo shfaqje është një denoncim për ‘farat e fashizmit’ të cilat po mbillen e po mirëmbahen në Evropë nga udhëheqës autoritarë, aktualë e të tjerë në ardhje, në një Evropë, që nuk është imune nga fashizmi, përkundrazi.”

Qendra Multimedia është organizatë kulturore nga Prishtina, Kosova e përqendruar në teatër dhe letërsi bashkëkohore. Si kompani teatri, Qendra Multimedia ka fituar reputacion për prodhimin e disa prej punëve më provocative dhe kohërisht relevante në Evropën Juglindore me shfaqje që gjithmonë ngrisin debate tek audienca. Qendra Multimedia ka bashkëprodhuar me kompani teatrore nga Evropa dhe SHBA, ku përfshihen Volksbühne Berlin dhe LaMaMa në Nju Jork.

“Të gjashtët kundër Turqisë” vjen pas turneve të suksesshme të Qendrës Multimedia me shfaqjet Negotiating Peace në vitin 2023 e 2024, The Handke Project në 2022 e 2023 dhe Balkan Bordello, e cila ishte në turne në Kosovë, Serbi e Shqipëri para se të luhej në La MaMa në Nju Jork në vitin 2021. Puna e Qendrës Multimedia rregullisht mbulohet nga mediet ndërkombëtare si The New York Times (SHBA), The Guardian (Mbretëri e Bashkuar), Der Spiegel (Gjermani), La Repubblica (Itali), Theater Heute (Gjermani) dhe The Stage (Mbretëri e Bashkuar).

Të zhurmshme, të guximshme dhe absurdiste (dramat e tij) sjellin në mend Ibsen-in, Molière-in dhe Kafka-n, ndërsa shpërthejnë kundër korrupsionit dhe padrejtësisë.The Guardian për Jeton Nezirajn

Teatër politik për kohët kur politikanët vërtet zhgënjejnë”. Exeunt për punën e Blerta Nezirajt

@qendramm | https://qendra.org/en/