Shfaqja “The Handke Project” do të prezantohet më 21 shkurt, 2026 para publikut hungarez në METTRIN – Qendra e Eventeve dhe Artit, në Bánk, Hungari, nga ora 18:00.
Produksioni i Qendrës Multimedia, “The Handke Project”, mbledh një kastë ndërkombëtare të përbërë nga Arben Bajraktaraj (Kosovë/Francë), Ejla Bavčić (Bosnje e Hercegovinë), Adrian Morina (Kosovë), Klaus Martini (Itali), Verona Koxha (Kosovë) dhe Anja Drljević (Mal i Zi/Serbi). Shfaqja me regji të Blerta Nezirajt është shkruar nga Jeton Neziraj.
“The Handke Project – Ose drejtësi për marrëzitë e Peter-it” përpiqet që, përmes prizmit të laureatit kontrovers të Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, të eksplorojë baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër.
Që nga qershori i vitit 2022, kur pati premierën, shfaqja është dhënë mbi 40 herë në shumicën e vendeve të Ballkanit, përfshirë Serbinë, si dhe në disa vende evropiane si Italia, Gjermania, Franca dhe Norvegjia.
E cilësuar si një nga krijimet artistike më të fuqishme nga Kosova, shfaqja ka fituar disa çmime dhe ka ngjallur diskutime të shumta si nga publiku, ashtu edhe nga kritika teatrore.
Kritika teatrore botërore e ka vlerësuar shfaqjen kështu:
“‘The Handke Project’ interpretohet në anglisht nga një ansambël i shkëlqyer panevropian prej gjashtë aktorësh. […] Dhe këtu hyjmë në territorin e Peter Handke-s, subjektit ‘si Peter Pan’ të satirës therëse të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj… Neziraj gjerësisht konsiderohet dramaturgu kombëtar i Kosovës, i ngjashëm me rolin që Václav Havel ka për Çekosllovakinë.
Dhe Neziraj ndan me Havelin lojën e lindur dhe vetëdijen për absurditetet e egra burokratike – që të gjitha shërbejnë si një maskë e hollë për zemërimin e autorit. Të gjitha këto cilësi shfaqen në shpërthime dhe përplasje, si një shfaqje fishekzjarrësh, përmes regjisë së Blerta Nezirajt. Së bashku, autori dhe regjisorja e shndërrojnë zemërimin në një plumb artistik.”
Për më shumë informata rreth shfaqjes, ju lutem lexoni këtu.